Autoritetet gjermanë vijuan sot procesin hetimor për sulmin e Berlinit, një ditë pas vdekjes së autorit të dyshuar, duke kërkuar bashkëpunëtorë të mundshëm që mund ta kenë ndihmuar për të udhëtuar drejt Italisë, pavarësisht masave të shtuara të policisë.
“Rreziku terrorist është i pranishëm”, paralajmëroi kancelarja Angela Merkel.
“Për ne, aktualisht, është me rëndësi të përcaktojmë nëse përgatitja dhe ekzekutimi i sulmit në tregun e Krishtlindjes dhe i arratisjes së agresorit ka patur një rrjet mbështetës, një rrjet që ka ofruar ndihmë, bashkëpunëtorë apo persona te tjerë”, u shpreh dje kreu i zyrës anti-terroriste në Prokurori, Peter Frank.
“Hetuesit duhet për këtë fillimisht të përpiqen të rindërtojmë rrugën e saktë të ndjekur nga tuniziani Anis Amri, nga Berlini deri në Milano “, sqaroi Frank.
Si ka mundur të udhëtojë deri në Itali ?
“Si ka mundur të mbërrijë në Itali nga Berlini ?, pyeste sot gazeta “Bild” duke ngritur pikëpyetje si ka mundur t’i shpëtojë të gjithë postoblloqeve të policisë së vendit.
Sipas policisë italiane, i riu ka kaluar tranzit nga Franca për të mbërritur më pas në Milano, ku ai u vra mëngjesin e djeshëm nga një polic gjatë një kontrolli pranë stacionit të trenit.
“Në çantën e tij, hetuesit kanë gjetur një biletë treni që tregon se kishte hipur në Chambery, në lindje të Francës dhe ka kaluar në Torino përpara se të mbërinte në mbrëmje në Milano “ , njoftuan mediat gjermane.
“Në Francë gjithashtu po kontrollohen verifikimet e nxjerra në dritë së fundmi”, njoftoi drejtori i përgjithshëm i policisë kombëtare franceze (DGPN), Jean-Marc Falcone.
“Bëhet fjalë kryesisht për të përcaktuar mjaft saktësisht nëse gjatë udhëtimit të tij, ky terrorist ka mundur të kalojë tranzit nga territori ynë”, saktësoi Falcone në një intervistë.
Policia gjermane po vijon hetimet për të vlerësuar nëse arma e përdorur në Milano është e njëjta që u përdor për të vrarë një shofer polak të kamionit të hënën në Berlin.
Me kamionin që e zotëronte ky drejtues, Anis Amri ka përshkruar më pas mes për mes turmës në tregun berlinez të Krishlindjes, duke vrarë 12 persona dhe plagosur 50 të tjerë.
“Qindra hetues do të vijojne punën për zbardhjen e kësaj dosje gjatë festave të fundvitit”, njoftoi kreu i policisë gjyqësore gjermane, Holger Münch.
Merkel premton ndryshime
Autoritetet gjermane duhet, duke nisur që sot, të ndërmarrin një detyrë të vështitë për të qetësuar mbarë opinionin i shqetësuar pas sulmit që nxorri në pah të meta të shumta në masat anti-terroriste të vendit.
Këto të fundit dështuan në arrestimin në kohë të Anis Amri, ndërsa ishin në dijeni prej shumë kohësh për radikalizimin dhe rrezikshmërinë e tij të lartë.
Kancelarja gjermane, Merkel njoftoi se të gjitha elementet e kësaj çështje do të kalonin në sitë.