Ka më shumë se një orë që është duke pritur për një kontroll mjekësor në bodrumin e njërës prej klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. 68-vjeçarja, S. Gashi, e cila prej disa ditësh është e shtrirë në QKUK, është detyruar të përballet me pritjet e stërzgjatura në këtë klinikë. Njësoj si 68-vjeçarja ishin edhe me dhjetëra pacientë të tjerë që prisnin me orë në radhë gjatë ditës së sotme për të hyrë në vizita ambulatore specialistike.
Dy të rinj, nxënës të shkollës së mjekësisë, të cilët po kryejnë praktikën në QKUK, në mëngjesin e së mërkurën po kujdeseshin për dy të moshuara që gjendeshin në korridorin e Ambulancës Specialistike, në njërin nga bodrumet e hapësirave të QKUK-së. Ata kishin sjellë pacientet bashkë me shtretërit e dhomës. Njëra 68 vjeçe e tjera 74, po prisnin radhën për të hyrë në vizita mjekësore.
“I kemi sjellë qe një orë këtu. Po presin për një fotografim. Tjetra për një kontroll specialistik kirurgjik. Neve na thanë mjekët t’i sjellim këtu. Të dyja këto ka disa ditë që janë të shtrira në klinikat e QKUK-së”, thonë infermierët.
Nga pritja nuk kurseheshin as të moshuarit e tjerë dhe fëmijët. Fahrije Krasniqi, me djalin e saj 12 vjeç, ditë më parë kanë pësuar aksident trafiku. Djali e ka thyer këmbën, ndërsa ajo ka marrë disa çarje në këmbë dhe dorë. Pavarësisht gjendjes, ata kishin rreth një orë që prisnin në radhë për të hyrë në vizitë.
“Kemi ardhë qe një orë këtu. Paska shumë kallaballëk sot. Nuk e di edhe sa do të presim. Djali është në karrocë, po i dhemb shumë këmba”, thotë ajo.
Megjithëkëtë, zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës theksojnë se pritjeve të pacientëve në këto qendra shumë shpejt do t’u vijë fundi. Sipas zyrës së drejtorit të SHSKUK-së, hapësira ku gjendet ambulanca specialistike është e improvizuar, andaj shumë shpejt pritet që të zëvendësohen me ambiente të tjera, ku kushtet pritet të jenë më të mira për pacientët.
“Është në përfundim e sipër puna për ndërtesën e re për ambulanca specialistike dhe administratë. Janë duke u kryer punët finale”, ka thënë për Express, Shpend Fazliu, zyrtar për Informim në QKUK. Fazliu thotë se ndërtesa e re pritet të jetë gati gjatë muajit mars.
“Presim që deri në fund të muajit shkurt apo mars objekti të jetë i gatshëm. Kushtet do të jenë moderne në objektin e ri, qoftë për stafin shëndetësor që bën punë të madhe, por edhe për pacientët që marrin shërbime shëndetësore”, ka thënë tutje Fazliu.
Ndërkaq, aktualisht shërbimet ambulantore janë duke u ofruar në hapësirat e improvizuara në bodrumin e Klinikës së Kirurgjisë.
Ndryshe, këto hapësira shfrytëzohen për shërbime ambulantore nga fusha e kirurgjisë plastike, kirurgjisë torakale, urologjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë vaskulare, ortopedisë, si dhe disa shërbime të tjera./GazetaExpress/