Aktuale

Gjendet i vdekur motoçiklisti 25-vjeçar nga Kavadari pas të cilit u gjurmua tërë natën

Një person i vdekur sot rreth orës 5 e 40 min është gjetur në drejtimin rrugor Demir Kapi-Negotinë, në afërsi të vendit “ Përmendorja Përzhdevski “, ka konfirmuar për portalin Kurir MPB-ja maqedonase, duke shtuar se hetimi është duke vazhduar.

Siç merret vesh jozyrtarisht, bëhet fjalë për 25-vjeçarin me iniciale K.S. nga Kavadari i cili dje është lajmëruar si i zhdukur.

Në rrjetet sociale dje shpërndahej informacioni për zhdukjen e tij. Sipas shënimeve ai herën e fundit është parë në një takim me motoçikleta, prej ku është larguar me motoçikletën “honda”, pas çka i humben gjurmët.

Shokët dhe miqtë e tij janë organizuar dhe e kanë kërkuar në terren thuajse dhjetë orë, pas ëka djaloshi është gjetur i vdekur.

Nga policia informuan se më shumë detale do të bëhen të njohura pas përfundimit të hetimit, transmeton TetovaSot.