Vetëm gjatë ditës së djeshme në gjithë Kosovën kanë ndodhur gjashtën raste të dhunës në familje.
Këto raste kanë ndodhur në komunën e Gjakovës, Istogut, Klinës dhe Lipjanit, shkruan Insajderi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në Gjakovë ka arrestuar një person pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Sipas policisë, i dyshuari më pas me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje, nuk raportohet për lëndime.
Në po të njëjtin qytet, Policia e Kosovës ka arrestuar një femër e cila pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht një femër tjetër.
Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa e dyshuara me vendim të prokurorit pas intervistimit është liruar.
Kurse në qytetin e Istogut Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht një femër. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, më pas me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Në Klinë Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët kanë sulmuar fizikisht një femër. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt.
Ndërsa, në qytetin e Lipjanit policia ka arrestuar dy persona pasi kishin sulmuar fizikisht dy femra. Sipas policisë, viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor. Kurse një nga të dyshuarit pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa personi tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
Sipas policisë, arsyeja me e shpeshtë që sjellë deri tek sulmet fizike janë mosmarrëveshjet.