Banorët e lagjes “Tahir Sinani” dhe “Isa Olluri” në qytetin e Lipjanit janë tronditur derisa kanë parë një gjarpër me gjatësi prej rreth një metër duke hyrë në parkun dhe auto-parkingun e tri objekteve afariste.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të së martës, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar, por nuk kanë mundur ta gjejnë askund gjarprin, njofton korrospodenti i Kohës Ditore nga ky qytet.
Dëshmitarët e rastit, gjarprin e kanë parë duke hyrë në parkun e objekteve afariste, ndërkaq kërkojnë nga organet e zjarrfikësve të nisin edhe një aksion tjetër për gjetjen e tij.
“Më së shumti i kemi të rrezikuar fëmijët e vegjël të cilët gjatë gjithë ditës qëndrojnë në këtë park, prandaj duhet të intervenojnë edhe një herë ekipet e zjarrfikësve derisa të gjendet gjarpri i cili ka një gjatësi prej rreth një metër”, ka thënë një nga dëshmitarët e rastit.
“Ekipet e zjarrfikësve kanë kërkuar prej rreth një orë, mirëpo nuk kanë mundur ta gjejnë gjarprin. Ndryshe vazhdojmë të ndihemi të rrezikuar se gjarpri mund të shfaqet përsëri në këtë park”, ka shtuar ai.