Aktuale

Gjakova miraton buxhetin për vitin 2017

Me 27 vota pro dhe vetëm 7 vota kundër, Kuvendi Komunal i Gjakovës e ka miratuar sot Buxhetin Komunal për vitin 2017.

Në debatin e zhvilluar me këtë rast, kanë qenë përfaqësuesit e opozitës, në veçanti ata të AAK-së që kanë paraqitur disa kritika dhe vërejtje për sa i përket buxhetit të vitit 2017, të cilët në fokusimin kryesor të tyre kanë pasur projektet e planifikuara për këtë vit, si dhe projektet e ish – qeverisjes për të cilat u tha se po mohohen dhe se projektet në perspektivë nuk kanë shtrirje të gjerë dhe të kënaqshme.

Sipas njoftimit për media, këto kritika kanë marrë përgjigje nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka theksuar se është për tu çuditur fakti se disa asamblistë nuk kanë informacionet e duhura për thithjen e projekteve në vlera prej miliona euro, duke u nisur nga ndërtimi i objektit të ri të ngrohtores, mandej projekti i ujit të pijes, etj.

Për sa i përket anashkalimit të projekteve të qeverisë se shkuar, kryetarja Mimoza Kusari – Lila duke e mohuar një gjë të tillë është shprehur se të gjitha janë në komunën e Gjakovës.

Paraprakisht, drejtori për Buxhet dhe Financa, Teki Shala, ka bërë të ditur se buxheti komunal për vitin 2017 do të jetë në shumë prej 21, 229, 849.00 euro. Prej kësaj shume totale, për paga do të ndahen mjete në shumë prej 13, 292, 010.00 euro, apo 62. 61 për qind e këtij buxheti. Për mallra dhe shërbime do të ndahen mjete në shumë prej 2, 005, 500. 00 euro, apo 9. 45 për qind e buxhetit.

Për komunali do të ndahen mjete në shumë prej 561, 899.00 euro, apo 3.20 për qind e buxhetit. Për subvencione do të ndahen mjete në shumë prej 439, 882.00 euro, apo 2.60 për qind e shumës. Kurse, për investime kapitale do të ndahen mjete në shumë prej 5, 221,942.00 euro, apo 22.15 për qind e shumës totale të buxhetit për vitin 2017.

Asambleja Komunale ka miratuar edhe kërkesën për dhënien në shfrytëzim KEDS-it të dy lokacioneve për vendosjen e trafo stacioneve në lokacionet “Ali Ibra” dhe “Banimi social”, si dhe dhënien në shfrytëzim të trasesë për shtrirjen e kabllove transmetuese të energjisë elektrike nga lokacioni i Parkut Solar– Madanaj deri në trafo stacionin tek zona industriale veriore

Në këtë mbledhje, Saranda Hyseni, nga subjekti politik AAK, ka kërkuar që të kenë një informatë rreth transportit të nxënësve, për çfarë Kusari-Lila ka dhënë sqarimin se është në procedurë të tenderimit, dhe pas uljes së kilometrave për transport për nxënësit, në dy kilometra largësi, është shumëfishuar edhe numri i nxënësve që do të përfitojnë nga kjo, ku nga shtatëqind sa ka qenë numri i mëparshëm tani ka shkuar në dy mijë e njëqind nxënës.

Këshilltarëve komunal, sot u është dhënë edhe raporti i punës për periudhën janar-shtator 2016 të Zyrës së Prokurimit, që është prezentuar nga udhëheqësja Albana Bakalli, si dhe raportet e punës për vitin 2015 të Ndërmarrjeve Komunale Publike “Çabrati”, “Ngrohtorja e Qytetit” dhe “Stacioni i Autobuseve”.

Nga Asambleja Komunale janë miratuar edhe Draft-Plani i Punës së Kuvendit Komunal për vitin 2017, Draft-Rregullorja për Transparencë në Komunën e Gjakovës, si dhe Draft-Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Gjakovës./KosovaPress/