Është bërë inaugurimi i shtyllave multifunksionale në komunën e Gjakovës, i cili është në kuadër të projektit “Qyteti i mençur”.
E gjithë kjo është bërë e mundur me përkrahjen e UNDP-së. Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila, është shprehur se një projekt I tillë, është në shërbim të vetë qeverisjes lokale, duke lehtësuar shumë shërbime, por edhe të vetë qytetarëve, duke u ofruar atyre një ambient më të sigurt.
“Sot bëjmë inaugurimin e një pjese të konceptit, konceptin e ‘qytetit të mençur” nëpërmes shtyllave funksionale, në të cilat janë të vendosura kamerat, shenjat njoftuese gjithashtu edhe alarmi në rast çfarëdo rreziku ose vëmendje që duhet të ketë për qytetarët e komunës së Gjakovës. Ajo qka mund të them është se nuk ka qenë proces i lehtë ka dy vjet që kemi filluar punën e këtij koncepti”, tha Kusari-Lila.
Ndërkaq përfaqësues nga UNDP, thanë se një shërbim i tillë, është në funksion të llogaridhënies dhe qeverisjes transparente.
“Nuk është rastësi që quhen shtylla multifunksionale, pasi që ofrojnë shërbime të ndryshme për qytetarët e kësaj komune. Ne falënderojmë ta parën e këtij qyteti, për iniciativën që ky projekt të realizohet këtu. Kjo është në të mirë të të gjithëve. Lehtëson shumë punë për vetë qeverisjen, por është mëse e rëndësishme edhe për qytetarët, pasi që tani do të jenë më të sigurt”, tha Alessandra Roccasalvo.
Ky projekt është përkrahur edhe nga Agjencioni Zhvillimor i Austrisë. Albulena Zaimi nga kjo Agjenci tha se ndihen mirë që kanë kontribuar në këtë projekt
“Si pjesë e këtij projekti Agjencia Austriake për Zhvillim ka nderin që të kontribuojë sapo pak në këtë projekt duke mbështetur me pajisje konkretisht për monitorim, zërimin dhe sistemin e alarmit për njoftim të qytetarëve”, tha Zaimi .
Menaxhimin e këtyre kamerave të sigurisë, do ta kenë vetë policia rajonale e Gjakovës.
Komandanti i Policisë në këtë qytet Kristë Gjokaj tha se ky projekt është lehtësim për zbardhjen e rasteve nga Policia.
“Kjo do të jetë një lehtësim për neve jo vetëm në zbardhej e rasteve por edhe. Kjo do të jetë edhe një parandalimin e atyre rasteve. Sot patëm një rast një aksident në semaforë dhe nga ky projekt u ndriçua edhe rasti”, tha Gjokaj.
Në fund të këtij takimi, nga Fatos Stavileci është prezantuar për pjesën teknike rreth funksionit të shtyllave digjitale, projektit të Smart City dhe rolit që luajnë ato në jetën e qytetarëve.
Ndryshe, këto shtylla do të përdoren për: Kamerat e sigurisë, senzorët e ndryshëm për Smart City (matjen e temperaturës, shtypjes së ajrit, lagështisë së ajrit, ndotjes së ambientit, shpejtësisë dhe drejtimit të erës, matjes se reshjeve te shiut etj.), Pikave kyçëse wireless – WiFi për qasje në gjakovaportal.com dhe shërbimet tjera komunikuese, LED Panelët Informues (për të paraqitur informacione të ndryshme), Sistemi i zërimit publik (sistemi i alarmimit, i njoftimeve me zë etj.) dhe ndriçimi i mençur./KosovaPress/