Aktuale

Gecaj: Selmanaj nuk njihet si burrë që mban fjalën

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj përmes një postimi në rrjetin social ka shkruar se Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj nuk paska arritur të mbajë veten gjatë një interviste të dhënë mbrëmë për një media. Ai ka shprehur për Selmanaj se është i pabesë.

Gecaj ka thënë se Selmani  nuk njihet si burrë që “banë fjalë”, qenka përpjekur t’i fuqizojë qëndrimet e tij, duke cituar fjalët që i paska dëgjuar nga një takim ku ishin prezentë edhe kryeministri dhe tre kryetarë të tjerë komunash.

Ky është postimi i tij plotë:

SELMANAJ DHE KODI I TAKIMEVE TË MBYLLURA

Kryetari i Komunës ku unë kam lindur, Rasim Selmanaj, nuk paska arrit ta mbajë veten gjatë një interviste të dhënë mbrëmë për një medie.

Selmanaj, i cili nuk njihet si burrë që “banë fjalë”, qenka përpjekur t’i fuqizojë qëndrimet e tij, duke cituar fjalët që i paska dëgjuar nga një takim ku ishin prezentë edhe kryeministri dhe tre kryetarë të tjerë komunash.

Sa për informim, për hir të Selmanajt dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë, Qeveria ka qenë tejet e kujdesshme në komunikatën e lëshuar nga ky takim, në mënyrë që të mos ketë mundësi për keqinterpretime.

Por, përkundër kësaj, Selmanaj i paska (keq) interpretuar fjalët e kryetarit të Pejës, aq më shumë kur ato kanë të bëjnë me familjarë.

Me thënë të drejtën u çudita, sepse Selmanaj ka aq përvojë sa ta dijë që ka vepruar në kundërshtim me traditën dhe praktikat e mira kombëtare e ndërkombëtare nga takime të tilla.

Sidoqoftë, ne nuk e kemi ndërmend të tregojmë se çfarë tha Selmanaj në këtë takim!