Qeveria e Kosovës pati befasuar opinionin publik kur pati vendosur qe të themelojë një komision, i cili do të përbëhet nga ekspertët për matjet e territorit. Mungesa e konsensusit për këtë çështje e ka shtyrë ekzekutivin që të marrë vendim për themelimin e këtij komisioni, i cili është paraparë të përbëhet nga ekspertë të pozitës dhe opozitës dhe me vëzhgues ndërkombëtarë.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa, ka zbuluar detaje për Indeksonline, rreth këtij komisioni.
Sipas vendimit që ka marrë qeveria, Gecaj thotë se komisioni do t’i ketë 18 anëtarë prej të gjitha institucioneve relevante qe kanë të bëjnë me çështjen e kufirit.
“Në komision parashihet të ketë ekspertë edhe prej partive opozitare. Po ashtu është kërkuar edhe prej miqve tanë ndërkombëtarë të kenë vëzhgues. Nuk e di nëse kam pranuar të shohim”, ka thënë Gecaj.
Gecaj thotë se komisioni do të nisë punën me automatizëm në momentin që kompletohet. I pyetur se sa do të zgjasë puna e këtij komisioni, ai ka thënë se këtë nuk mund ta dijë pasi është çështje e ekspertëve.
Zv/ministri i Pushtetit Lokal, ka bërë me dije se posa të përfundoj punën ky komision, kryeministri Mustafa do të dalë dhe të prezantojë të gjeturat e komisionit.
“Ne më këtë dëshirojmë t’i heqim të gjitha dyshimet se vija është e bërë drejtë. Ky është komision i ekspertëve dhe nuk është komision politik. Pra, ekspertet do të konstatojnë se a kemi humbur territor ose jo”, ka shtuar ai.
Gecaj thotë se nëse opozita nuk e pranon këtë komision, atëherë as ata nuk e dinë se çka do të bëjnë më shumë për këtë çështje.
Ndërsa, sa i përket procedimit të projektligjit të kësaj marrëveshje në Kuvend, ai thotë se do të varet shumë edhe nga reagimi i opozitës.
“Është shumë e rëndësishme të kalojë çështja e demarkacionit ngase nga ky proces varen edhe vizat. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon qe nuk kanë mundësi të lëvizin lirshëm”, ka theksuar ai.
Partitë opozitare kanë paralajmëruar se nuk do të dërgojnë ekspertët e tyre në këtë komision. Opozitarët po bëjnë thirrje qe kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero dhe t’i hapet rrugë rinegocimit me palën malazeze marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.