Gazetarët e Kosovës janë shqetësuar me një nismë ligjore e ndërmarë nga Zyra e Kryeministrit me anë së cilës pretendohet që të kontrollohen mediat online në lidhje me raportimin për fëmijë.
Kjo iniciativë është ndërmarrë nga UNICEF-i dhe është përkrahur nga zyra e Kryeministrit.
Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara tha se kjo nismë është kundër mediave sepse Qeveria nuk mund ta rregullojë mënyrën e raportimit për fëmijë.
“Kemi analizuar rregulloren dhe ka probleme ligjore. Është absurde që një rregullore të hartohet para se të ekzistojë ligji për mbrojtjen e fëmijëve. Është hera e parë që Qeveria do të vë nën kontroll mediat online dhe të shtypura. Nëpërmjet kësaj rregulloreje Qeveria do t’ia marrë kompetencat e Komisionit të Pavarur për Media”, tha Mushkolaj.
Sipas tij Këshilli i Mediave të Shkruara dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë kërkuar sqarim nga zyra e kryeministrit por një gjë e tillë sipas Mushkolajt nuk ka ndodhur.
“Kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit që brenda 10 ditëve të na informojë për këto veprime. Dëshpërimi jonë është edhe më i madh pavarësisht se është hartuar një rregullore për mediat dhe mediat nuk janë konsultuar”, tha Mushkolaj.
Edhe kryetari i AGK-së Shkëlqim Hysenaj tha se duke marrë parasysh defektet ligjore të rregullores e konsiderojnë të papranueshme atë./KosovaPress/