Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri duke mbajtur fjalim para deputetëve ka kritikuar rëndë partitë tjera e sidomos PDK-në, dhe duke lartësuar punën e Qeverisë të udhëhequr nga Isa Mustafa.
Sipas saj kjo Qeveri është e vetmja që punoi nën presion të dhunës që nga dita e parë.
Qeveria e udhëhequr nga LDK, sipas Gaxherrit është Qeveri pa skandale korruptive krahasuar me Qeveritë e kaluara.
Me këtë rast ajo ka përmendur skandalin me pasaporta, vjedhjen në Dhomën e Dëshmive, aferat me prona, skandalet në KEK, PTK, Aeroport, etj.
Gaxherri tha se Qeveria merret shembull në regjion për luftën kundër krimit dhe terrorizmit, me rritje ekonomike më të lartën në rajon, Qeveri që i ka dhënë zgjidhje pasurive kombëtare, Qeveri që ka krijuar stabilitet buxhetor, Qeveri që ka krijuar rregulla ligjore për ngritje pagash me qëllim që mos të bëhet lojë për fushata zgjedhore.
Gaxhorri tha se Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja e ka hequr presionin e zhvatjes dhe reketëve, e ka hequr Kosovën nga duart e bandave kriminale.
Për krizën politike në vend Gaxherri ka fajësuar Kuvendin dhe kryetarin e saj Kadri Veseli.
Në fund ajo pati një porosi për kolegët e saj deputetë duke thënë se LDK është alternativa më serioze e këtij vendit.
“Ju partitë satelite të njëra tjetrës dijeni se LDK është e unifikuar si kurrë me parë. Ne nuk frikësohemi nga zgjedhjet sepse LDK nuk ka hipotekë kriminale”, tha Gaxherri./KosovaPress/