Aktuale

Gashi për Specialen: Thaçi dhe Haradinaj në SHBA për të lobuar për vete

Avokati, Tomë Gashi, ka thënë se procesi i regjistrimit të avokatëve në Gjykatën Speciale, tregon se janë kryer hetimet dhe se shumë shpejt pritet të ndodhin arrestimet e para.

“Gjykata Speciale i ka kryer hetimet dhe nuk ka logjikë juridike që të mos dalin me deklarata se i kanë hetuar mbi 30 persona, ish zyrtarë të lartë të UÇK-së”, ka thënë Gashi, njofton Klan Kosova.

“Gjithçka është finalizuar dhe priten arrestimet”.

Sipas Gashit iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka qenë lojë e liderëve politikë kosovarë për të fituar poena.

“Një pjesë ka dashur të bëjë manovrimet e fundit për të marrë informata që paraqet vlerë jetësore për ta. Pjesa tjetër ka dashur ta acarojë situatën, duke e vënë në dyshim edhe përkrahjen e aleatëve”.

Gashi ka përmendur në Info Magazine vizitën që janë duke e bërë presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj në SHBA dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në Kroaci.

“Dy prej liderëve i kemi në SHBA dhe tjetrin në Kroaci. Dy që janë në SHBA po bëjnë lobim për të mirë të vetvetes dhe asgjë për Kosovën”.

Gashi ka pohuar se emri i secilit që gjendet në raportin e Dick Marty duhet pastruar.

“Ata po thirren heronj, kështu që le të shkojnë në Hagë ta pastrojnë emrin e vet dhe të UCK-së”.

Gashi siç ka deklaruar deri tash nuk ka aplikuar për regjistrim në Gjykatën Speciale, pasi që ende është në pritje të klientëve të cilët mund të akuzoheshin nga Gjykata Speciale.