Aktuale

Ganimete Musliu flet për abstenimin e saj për shpërndarjen e Kuvendit

Deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, me votën e tyre morën vendim që t’ia shkurtojnë mandatin vetës dhe të shpërndajnë këtë legjislaturë për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Ani pse votimi i grupeve parlamentare ishte unanim, pati disa deputetë që abstenuan kur u hodh në votim propozimi për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.

Ish deputetët e PDK-së, Ganimete Musliu e Zenun Pajaziti, abstenuan në këtë votim.

Në një përgjigje të shkurt për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, nuk ka dashur ta komentojë shumë vendimin e saj për të abstenuar.

“Lidhur me këtë çështje komenti im i vetëm është se, Unë dua të besoj që Kosova është shtet demokratik”, ka thënë Musliu për FaktePlus.

Ndërsa, në anën tjetër Zenun Pajaziti, i kontaktuar nga FaktePlus, nuk ka dashur të flas rreth vendimit të tij për abstenuar në votimin për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit.

Nga deputetët e pranishëm në seancën e sotme, 88 kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, kurse dy kanë abstenuar dhe 6 deputetë tjerë nuk kanë marrë pjesë fare në votim./FaktePlus