Aktuale

Gabriel: Nuk ka liberalizim të vizave pa u bërë Demarkacioni

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, gjatë takimit të sotëm që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se është i rëndësishëm ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, pasi që pastaj do të vijë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim u potencua se vazhdimi i dialogut me Serbinë është e vetmja alternativë për të dy shtetet dhe se është kusht i domosdoshëm për progres të të dy shteteve.

Ai tha se përderisa liberalizimi i vizave është një çështje e rëndësishme për popullin e Kosovës, atëherë përse përfaqësuesit e popullit po e bllokojnë këtë proces dhe nuk po e votojnë Demarkacionin.

 

“Si pasojë e një qëndrimi të tillë nuk do të vjen liberalizimi i vizave ngase Bashkimi Evropian ka vendosur që ky të jetë një nga kushtet për liberalizimin e vizave, ashtu që në mënyrë interne duhet të diskutohet kjo çështje. Por, së pari të sqarohet përse qëndrojnë përfaqësuesit e vet shtetit kundër këtij procesi. Paralelisht kësaj kemi diskutuar për mundësi alternative të cilat edhe propozimet e të cilave do t’i marrim edhe me vete në Gjermani, por në anën tjetër problem parimor paraqet sjellja e përfaqësuesve në Parlamentin e Kosovës, kështu që kjo çështje duhet të bisedohet në formë interne dhe të sqarohet përse ata persona, përfaqësues të shtetit të Kosovës qëndrojnë kundër zbatimit të këtij procesi që në fund të fundit shkon në dëm të vet qytetarëve të Kosovës”, tha Gabriel.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se janë konsumuar të gjitha argumentet sa i përket demarkimit të kufirit dhe se nuk ka kufi tjetër me shtetin fqinj.

Kryeministri tha se i gjithë kundërshtimi i opozitës për Demarkacionin është vetëm kauzë politike.

 

“Mendoj se i kemi konsumuar të gjitha argumentet sa i përket kufirit edhe konsiderojmë se kufi tjetër nuk ka ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi përpos këtij kufiri që dy komisionet tona e kanë vërtetuar si kufi ndërshtetëror. Nuk ka çka të negociohet edhe një herë me Malin e Zi edhe përkundër asaj që Mali i Zi ka qenë shumë korrekt në këtë relacion. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera e ta, por ne nuk i kemi asnjë argument shtetëror që ti themi Malit të Zi lësho territor në atë pjesë se kemi fakte se ai territor është i Kosovës. Dhe konsiderojmë që është vetëm kauzë politike e opozitës dhe asgjë tjetër”, tha Mustafa.

Në këtë konferencë mysafiri nga Gjermania nuk e la pa përmendur edhe krijimit të ushtrisë së Kosovës, e që ministri gjerman shprehu frikën nga rilindja e konflikteve të vjetra.

Sipas tij Kosova duhet ta bëjë ushtrinë në pajtim me të gjithë partnerët strategjikë.

 

“Pyetja juaj për mua ishte se a kemi frikë se mund të rilindin konfliktet e vjetra, përgjigja ime është se po e kemi frikën. Por, nuk janë të domosdoshme ato nuk vijnë automatikisht, pra varet nga gjithë ne se çfarë bëjmë për të evituar konflikte të tilla. Për këtë shtetet e Ballkanit perëndimorë duhet të kontribuojnë në shoqëritë e tyre. Nuk e di sa ishte mesazhi  i qartë , por e tha edhe kryeministri Mustafa se formimin e ushtrisë do e bëjnë në koordinim dhe në bisedë me të gjithë partnerët e përfshirë, përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve në Parlament. Përkthyer kjo, Kosova ka të drejtë dhe dëshiron të ketë një ushtri sovrane ashtu sikurse edhe shtetet tjera, por e gjithë kjo në harmoni edhe në bazë të përfshirjes dhe bisedave me të gjithë ”, tha Gabriel.

Me këtë është pajtuar edhe kryeministri  Mustafa, sipas të cilit ekziston pajtimi i të gjithë strukturave politike dhe institucionale që krijimi i ushtrisë të bëhet në bashkëpunim me NATO-n, BE-në dhe SHBA-të.

 

“Ne i kemi planet për themelimin e ushtrisë dhe konsiderojmë se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, mirëpo ekziston pajtimi i të gjitha strukturave politike edhe institucionale të Kosovës në krye edhe me presidentin e vendit që kjo çështje të bëhet në koordinim NATON-në, me vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të zhvillohet debat me të gjitha komunitetet edhe të bëjmë përpjekje që të marrim përkrahjen e të gjitha komuniteteve në mënyrë që formimi i ushtrisë të bëhet në pajtim gjithëpërfshirës”, tha kryeministri i vendit.

Sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë, Mustafa përmendi disa që ai i quajti rezultate që kanë dhënë refleksione pozitive në shtensionimin e marrëdhënieve me Serbinë.

 

“Ka mbetur që ne të implementojmë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe këtë duhet ta bëjmë, tani pasi janë kthyer Lista Serbe në Parlament. Do të ulemi bashkërisht do ta bëjmë statutin do ta respektojmë marrëveshjen që e kemi nënshkruar në Bruksel dhe vendimin e gjykatës Kushtetues në këtë fushë. Kemi çështjen e energjisë në marrëveshjen për energji të cilën presim ta implementojë Serbia në të ardhmen dhe po ashtu kemi edhe dy orientime afatshkurtër është çështja e marrëveshjes në fushën e transportit ajror dhe transportit hekurudhor, si fusha shumë të rëndësishme të komunikimit të vendeve tona që edhe në këtë aspekt të arrijmë marrëveshje në mënyrë që të lehtësojmë komunikimin me këto vende. Jemi të interesuar që të punojmë në zhbërjen e strukturave paralele serbe të cilat akoma funksionojnë në Kosovë, ta bëjmë një agjen dë më të ngjeshur të çështjeve edhe të përmbyllim procesin deri në njohjen reciproke në mes dy vendeve, Njohjes nga ana e Serbisë të Kosovës dhe në mënyrë reciproke njohjen e shtetit serb. Por, unë mendoj që relacionet janë në rrugë të mirë, dialogu është e vetmja alternativë. Me dialogun do të vazhdojmë dhe do ta përmbyllim edhe këtë proces”, tha kryeministri Mustafa.

Edhe ministri  i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha se të dy shtetet janë të vetëdijshme se vazhdimi i dialogut është kusht i domosdoshëm për progresin e të dy shteteve.

 

“Të dy palët janë të vetëdijshme se vazhdimi i dialogut edhe në nivelin politik është kushti i domosdoshëm për progresin e të dy shteteve. Shtetet janë të vetëdijshme se shumë çështje janë të vështira për tu zgjedhur, çështje të cilat i kemi diskutuar, i kemi biseduar sot i kemi biseduar edhe dje, themelimi i Asociacionit të komunave, gatishmërinë e bashkëpunimit, rifikillimin e bisedimeve. Ne dëshirojmë të përkrahim të dy palët, të angazhohen në këtë drejtim dhe ti mbështesim të dy anët”, tha ai.

Ministri Federal i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pas takimit me kryeministrin Mustafa, është takuar edhe me  Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj./KP