Ministri gjerman Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel do të zhvillojë sot një takim me zyrtarët amerikanë në Uashington në një përpjekje për të mbështetur marrëveshjen e pranuar ndërkombëtare me Iranin.
“Nëse marrëveshja do të dështonte, ky do të ishte një sinjalizim shkatërrues në drejtim të krijimit të armëve në rajon dhe në mbarë botën”, tha Gabriel dje për gazetarët përpara se të nisej në Washington.
“Testi më i fundit raketor i Koresë së Veriut tregon potencialin për përshkallëzimin e tensioneve që është i natyrshëm në konfliktet e pazgjidhura”, shtoi ai.
Gabriel ka planifikuar të takohet sot me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.
Në agjendën e tij përfshihen edhe disa takime të tjera me senatorët dhe kongresmenët, ku çështjet kryesore të diskutimeve do të jenë ajo e Lindjes së Mesme dhe konflikti në Ukrainë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në mënyrë të vazhdueshme ka vënë në pikëpyetje marrëveshjen bërthamore duke e përshkruar atë si “një nga marrëveshjet më të këqija të bëra ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Presidenti amerikan kërcënoi se ai mund të largohej përfundimisht nga marrëveshja nëse Kongresi i SHBA-së ose aleatët e Uashingtonit nuk do të binin dakord mbi kufizimet e mëtejshme ndaj Iranit.
Fuqitë e tjera të mëdha të përfshira nuk janë shprehur pro ndaj një rinegociimi të marrëveshjes.