Pas shfaqjes së rastit të parë me koronavirus në komunën e Drenasit, kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, sot ka thirrur në takim Shtabin Emergjent dhe Qendrën Operative Emergjente. Aty është vendosur që familja e personit të prekur me koronavirus nga kjo komunë, të futet në karantinë
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Drenasit.
“Në këtë mbledhje është marr vendim që shtëpia e familjes në Zabel të Ulët të futet në karantinë sipas udhëzimeve edhe të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike. E infektuara vuan edhe nga sëmundjet tjera përcjellëse dhe familja e saj nuk ka pasur kontakte me të tjerët, për shkak të frikës se e njëjta mund të infektohet me virusin”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për familjen e izoluar dhe në bashkëpunim edhe me IKPSH-në janë duke bërë identifikimin e personave kontakt me të infektuarën me COVID-19.
“Kryetari i Komunës në Drenas, Ramiz Lladrovci edhe një herë ju bënë apel të gjithë qytetarëve të komunës që të jenë të kujdesshëm, t’i përmbahen masave mbrojtëse dhe rekomandimeve të IKPSH-së, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të evitojnë daljet pa nevojë”, thekdon njoftimi./Express/