Ndonëse Kuvendi i Kosovës që prej majit të vitit 2013 ka miratuar Ligjin për Odat e profesionistëve shëndetësorë, ato nuk janë funksionalizuar ende në tërësi.
Krijimi i Odave, ka nënkuptuar edhe bartjen e disa përgjegjësive nga Ministria e Shëndetësisë tek këto trupa.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka konfirmuar se nga mesi i javës, ua ka deleguar odave përgjegjësinë që ka të bëj me rilicencim, si kompetencë e fundit që pati mbetur pa u bartur nga Ministria e Shëndetësisë tek odat, shkruan REL.
Por, kryetari i Odës së stomatologëve, Kujtim Shala,thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë kompetencë nuk e kanë pranuar, pasi që nuk janë të gatshëm ta zbatojnë.
Ai shpjegon se si aktualisht po funksionon Oda që ai udhëheq.“Ne e kemi kompetencën e edukimit të vazhdueshëm profesional, etikën profesionale dhe akreditimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm profesional. Oda jonë nuk e ka pranuar kompetencën e rilicencimit pasi nuk kemi qenë të gatshëm”.“Në përgjithësi, si odë, kemi ngecje të natyrave të ndryshme, ndonëse procesi po zhvillohet me hapa të ngadalshëm”, thotë Shala.
Por, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë bën të ditur se kompetencat nuk do duhej të barteshin në kohën kur vendi po funksionon me Qeverinë në largim.“Konsideroj që është e vrazhdë dhe papërgjegjësi totale e ministrit Rrahmani. Si mund të barten përgjegjësitë, kur Qeveria është në largim?! Në shtator do të mbahet Kuvendi zgjedhor i Odës së mjekëve dhe është për turp se si politika në Kosovë bëhet ashtu që nëse unë e përfundoj një mandat, atëherë me tjetrin le të bëhet çka do”, thekson Syla.
Ndërkohë, kryetari i Odës së Farmacistëve, Zijadin Gashi, thotë se si odë kanë pranuar kompetencën e fundit, atë të rilicencimit, dhe nuk kanë probleme me funksionim.“Ne e kemi marrë kompetencën e rilicencimit dhe paraprakisht kemi krijuar kushte për bartjen e kësaj kompetence. E kemi bërë programin e licencimit, regjistrimin e farmacistëve, që për herë të parë në është pjesë e rilicencimit”.“Të gjithë ata që kanë fituar numrin e kredive e fitojnë të drejtën e rilicencimit”, shprehet Gashi.
Por, Blerim Syla, në anën tjetër thotë se kryetarët e odave nuk duhet të marrin kompetenca për të cilat nuk mund t’i përmbushin detyrat e parapara me ligj, meqë mospërmbushja e obligimeve bie ndesh me ligjin.“Vetë udhëheqësit e odave duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe t’i marrin më seriozisht këto punë, pasi që nuk kanë stabilitet ligjor dhe funksional në këtë aspekt”, tha Syla.Ndryshe, përgjegjësitë që odat e profesionistëve do të duhej t’i kenë, shtrihen në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional, në çështjet etike, licencimi dhe rilicencim.