Rajon & Botë

Fundoset anija në Ugandë, 29 të vdekur

Policia e Ugandës ka deklaruar se të paktën 29 persona kanë vdekur pasi një anije u fundos në liqenin Viktoria. Besohet se në anije ndodheshin rreth 100 njerëz në momentin kur anija u fundos afër kryeqytetit Kampala. Mediat vendore i kanë përmendur disa emra të figurave të njohura, duke shtuar se princi i një mbretërie tradicionale ka mbijetuar.
Aksidentet në liqenin Viktoria janë mjaft të shpeshta, shumica e të cilave ndodhin për shkak të anijeve të mbingarkuara. “Anija ishte e stërngarkuar dhe moti ishte i keq”, tha zëdhënësi i policisë, Patrick Onyango. Më shumë se 20 njerëz janë shpëtuar nga uji, por një numër i pacaktuar ende mbeten në listën e të zhdukurve.

Familjet dhe miqtë e të fundosurve u mblodhën në breg të liqenit. Ata i përcillnin ekipet e shpëtimit duke nxjerrë trupa nga uji. Familjarët bërtisnin dhe qanin sepse disa prej tyre i njihnin trupat. Policia i shpërndante gjësendet personale në bar, në mënyrë që familjarët të mund t’i identifikojnë viktimat. Anija përdorej për organizimin e ndejave gjatë fundjavës. Shumë nga personat e ndodhur në anije nuk kishin jelekë shpëtimi.

Në shpëtimin e njerëzve u angazhuan edhe dy anije peshkatarësh, por edhe ato u mbingarkuan dhe u fundosën. Liqeni Viktoria ka një sipërfaqe më të madhe se Zvicra dhe është liqeni më i madh në Afrikë. Sipërfaqja e tij i takon tri shteteve: Ugandës, Kenias dhe Tanzanisë. Rreth 30 milionë njerëz varen nga burimet e tij, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.