Fusha të presionit të lartë që po kalojnë mbi rajon, ditëve të fundjavës do të kushtëzojnë mot të ngrohtë dhe kryesisht me diell. Ndërsa nga Mesdheu herë-herë do të depërtojnë vranësira, të cilat mbrëmjen e së dielës mund të shoqërohen edhe me ndonjë rigë lokale shiu, bën të ditur Prishtina Weather.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se të hënën do të mbajë mot edhe më i ngrohtë, e ditën e martë një front i ftohtë që do të kalojë mbi rajon mund të sjellë reshje lokale shiu me bubullima.
Sipas parashikimeve të fundit në pjesën e dytë të javës së ardhshme, pritet të depërtojnë masa edhe më të ngrohta ajrore nga Afrika veriore që do të sjellin edhe valën e parë të të nxehtit, me temperatura maksimale edhe mbi 30C, thekson PW.
“Gjatë ditëve të fundjavës depërtimi i një cikloni të fuqishëm mbi Mesdheun perëndimorë, do të sjellë nga shkretëtirat e Saharasë koncentrim më të rritur të pluhurit në ditët e para të javës së ardhshme. Vlerat e çastit të cilësisë së ajrit kohë pas kohe mund të rriten edhe në vlera të pashëndetshme”, paralajmëron PW.
Parashikimi për periudhën 9-13 maj:
9.05 – Ngrohtë. Paradite kryesisht me diell, e gjatë ditës pjesërisht vranët.
10.05 – Ngrohtë. Paradite diell dhe vranësira. Ditën vranësirat do të shtohen. Në mbrëmje mundësi për riga lokale shiu.
11.05-12.05 – Të hënën kryesisht me diell dhe shumë ngrohtë. Pasdite me vranësira. Ditën e martë intervale me diell dhe vranësirash. Pasdite me erë, mundësi edhe për reshje lokale shiu me bubullima.
13.05 – Kryesisht me diell dhe ngrohtë.
Temperaturat do të shënojnë rritje të theksuar deri ditën e hënë. Minimalet do të luhaten nga 5C deri në 10C, e maksimalet nga 25C deri në 28C. Nga dita e martë maksimalet do të zbresin në 23C.
Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare kryesisht nga jugu-jugperëndimi 3-10m/s.
Shtypja atmosferike do të pësojë rënie graduale deri ditën e hënë, kur pritet të zbresë edhe nën vlera normale.