Aktuale

FSSHK: Nëse nuk na përmbushen kërkesat futemi në grevë pa afat

Federata Sindikale e Shëndetësisë në një konferencë për media ka paraqitur kërkesat e kësaj sindikale për Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, e nësë ato nuk përmbushen sipas kryesisë së kësaj Sindikate do të shkojnë në grevë në afat të pacaktuar.

Sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Kosovës, Blerim Syla, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh greva do të fillojë me bllokim total të sistemit shëndetësor. Gjithashtu, ai tha se ka mundësi që të bllokohet edhe emergjenca.

 

“Të gjitha kërkesat kanë afat dy javor për t’u shqyrtuar dhe për t’u vendosur dhe në rast se nuk kthehet përgjigjje kryesia e FSSHK-së do të vendos që të bëjë protestë një orëshe fillimisht. Do të jepet edhe një kohë Qeverisë dhe gjithë faktorëve politik e nëse edhe kjo nuk bënë punë ne do të futemi në grevë një ditore në të gjitha nivelet, këtu apeloj edhe tek sistemi privat. Nëse mbas kësaj, nuk gjejmë asnjë mirëkuptim në këto pika dhe kurrkush nuk dëshiron të diskutoj me ne neve si organizatë sindikale do të mblidhemi prapë si drejtues, mirëpo vendimi do të jetë shumë radikal, do të futemi në grevë në afat të pacaktuar”, tha Syla.

Në këtë konferencë Syla prezantoi edhe kërkesat e Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, ku në këto kërkesa propozohet që Ligji mbi pagat të hidhet poshtë apo të rinegociohet me kërkesat të cilat FSSHK i ka adresuar në Administratën Publike.

 

“Ligji mbi Pagat në Qeveri të hidhet poshtë në tërësi apo të rinegociohet me kërkesat të cilat FSSHK veçse i ka adresuar qe një muaj në Administratën Publike. Dy; Qe tri vite nuk kemi pasur asnjë lëvizje të rritjes së pagës dhe FSSHK kërkon që të bëhet rritja e pagave duke u bazuar në kërkesën dhe nevojën e të punësuarve në shëndetësi në përqindje prej 15 përqind. Kanë kaluar pothuajse dy vite nga nënshkrimi i Kontratës Kolektive dhe nuk është kryer rrezikshmëria. Rrezikshmëria në vendin e punës për punëtorët e shëndetësisë të bëhet sa më shpejt e mundur, gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë dhe FSSHK ta krijojnë komisionin brenda dy javësh dhe të përpilohet rregullorja për rrezikshmërinë në nivelin parësor, dytësor dhe tretësor”, tha ai.

Kërkesë e Federatës është edhe  Statusi i QKMF-ve, ku FSSHK kërkonte që të formohen grupet punuese për statutet e QKMF-ve në nivel vendi dhe të caktohet zyrtari përgjegjës për QKMF-të në Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjithashtu, kërkesë e tyre ishte edhe ulja e përqindjes për sigurime shëndetësore, ku nga 7 të ulet në 4 përqind.

 

“Duke e parë që Ministria e Shëndetësisë, por edhe faktorët e tjerë nuk kanë lëvizur fare për Ligjin e Sigurimeve, në konsulta edhe me disa partnerë të tjerë kërkojmë që përqindja për sigurime shëndetësore këtë vit nëse fillon mbledhja dhe nëse përmbushen kushtet nga 7 përqind në 4 përqind, pasi që ashtu kështu Ministria e Shëndetësisë ende nuk na ka ofruar se çfarë shërbimesh do të jenë dhe çka do të mbulohet kjo. Andaj është në interes të popullatës që kjo përqindje të ulet. Rilicencimi i punëtorëve shëndetësorë, FSSHK pasi që ka monitoruar me kujdes dhe pas disa takimeve kemi arritur në konkluzion se Ministria e Shëndetësisë duhet ta shtyjë afatin e ri licencimit deri në fund të vitit dhe po ashtu, të organizojnë trajnime pa pagesë”, tha Syla.

Po ashtu, kërkesë e FSSHK-së është edhe  definimi i kompetencave për furnizim me barna dhe material harxhues si dhe të bëhet plotësim ndryshimi për AKPM-në./KP