Forca e Sigurisë së Kosovës, si objektiv primar ka intensifikimin e bashkëpunimit me partnerët e saj, përmes së cilit shtetet mike të Kosovës, po ofrojnë mbështetjen e tyre në forma të ndryshme, në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.
Andaj me qëllim të koordinimit të punës dhe aktiviteteve, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët, u mbajt konferenca “FSK dhe partnerët”, e cila u tha se do të ndikojë drejtpërdrejt në sforcimin e këtij bashkëpunimi, përmes këmbimit të përvojave dhe informatave mbi aktivitetet dhe të arriturat e FSK-së, në mënyrën më transparente dhe objektive të mundshme, në favor të ngritjes së efikasitetit bashkëpunues.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli tha se FSK po vazhdon të përmbush detyrat dhe misionin e saj, konform mandatit që ua përcaktojnë dispozitat ligjore dhe kushtetuese të shtetit tonë.
Mirëpo në të njëjtën kohë ai tha se po vazhdojnë të punojnë në analizimin e kapaciteteve të së ardhmes, pasi që janë në pritje të vendimit politik, pra aprovimit të amendamenteve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në forca të armatosura. Ndërsa tha se në vazhdimësi së bashku me ekipet këshilluese të NATOS, kanë punuar në mënyrë më transparente të mundshme, në planifikimin dhe përgatitjen e tërësishme për fillimin dhe zhvillimin e këtij procesi tejet të rëndësishëm për vendin tonë.
“Qëllimi kryesor i kësaj konference, është që ne para partnerëve tanë, të iu tregojmë për të arriturat, qëllimet, objektivat tona dhe aktivitetet që kemi pasur gjatë këtij viti. Gjithsesi para tyre do t’i prezantojmë dhe kërkesat tona, respektivisht aktivitete dhe objektivat e planifikuara për vitin 2017 si dhe për periudhën afatmesme 2018-2019. Po ashtu nga ana e tyre, do të ketë prezantime rreth gatishmërisë së tyre rreth kapaciteteve të tyre dhe interesat eventuale, ku ata mund të bashkëpunojnë me ne. Lirisht mund të themi se qëllimi i konferencës është që t’i koordinojmë veprimet dhe sinkronizojmë, që do të thotë të mos kemi duplifikim të aktiviteteve në vende të caktuara. Por thjeshtë aty ku kemi nevojë në ngritjen e kapaciteteve tona, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për procesin e transformimit prej FSK-së, në forcë të armatosur të Kosovës, të kem i përkrahjen e miqve tanë siç kemi pasur deri më tani”, tha Demolli.
Ndërsa komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se bashkëpunimi me partnerët, është tejet i rëndësishëm për FSK-në.
“Kjo tregon përkushtimin tuaj drejtë ngritjes së FSK-së dhe për këtë jam shumë falënderues. Siç e dini qëllimi i kësaj konference është që të rritet bashkëpunimi dhe sinkronizimi dhe harmonizimi veprimeve për mbështetje të zhvillimit të FSK-së. Si rezultat i këtyre konferencave kemi avancuar dukshëm drejtë sinkronizimit dhe harmonizimit të veprimeve. Kjo është e domosdoshme që të shfrytëzohen në mënyrë racionale…Që nga themelimi i saj FSK ka qenë e përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve të veta në personel në infrastrukturë dhe pajisje dhe krijimin e kushteve më të mira për pjesëtarët tanë. Ju keni rol kyç në këtë drejtim. Sepse gjithçka që kemi bërë, kemi bërë në partneritet me ju dhe standardet e NATO-s. Prandaj vazhdimi i këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm, është shumë i rëndësishëm për neve si FSK, për zhvillimin e një institucioni për të mirë për vendin tonë si dhe si një kontribuues i sigurisë“, tha ai.
E Christian Riener, zëvendës komandant i KFOR-it tha se KFOR-i ka ndërtuar raporte të fuqishme me FSK-në dhe se do të vazhdojë të përkrah atë dhe në të ardhmen.
“KFOR dhe FSK kanë ndërtuar një raport të fuqishëm gjatë këtyre viteve, bazuar në mirëkuptimin e përbashkët bazuar në bashkëpunim dhe zotim…FSK ka bërë një punë të shkëlqyer, për të arritur misionin e saj sipas ligjit të FSK-së në Republikën e Kosovës. Udhëheqësia e FSK-së dhe pijetarët e saj, mund të jetë shembull se si kanë kontribuar për një ambient të sigurt dhe të qetë. Rëndësia e zotimit të FSK-së është e dukshme dhe çdo ditë shihet. Duke shikuar në të ardhmen, KFOR do të vazhdojë të përkrahë FSK-në sa më shumë që mundet”, tha ai.
Ndërkaq gjenerali Altman nga Garda Kombëtare e Iows tha se FSK është një institucion, i cili maksimizon bashkëpunimin dhe mbështetjen me partnerët e saj, për të çuar më tutje profesionalizimin e forcës së vet. Ai tha se që nga marsi i vitit 2011, Iowa ka qenë e angazhuar në Republikën e Kosovës, për të ndihmuar FSK-në, për t’i përmirësuar kapacitetet e saj.
“Iowa ka qenë e nderuar që të shërbejë dhe mbështesë FSK-në. Ne të gjithë kemi mësuar dhe përmirësuar forcat tona. Zhvillimi i FSK-së, përgjatë viteve të fundit ka qenë i dukshëm. Ata kanë punuar në trajnim, për t’i përmbushur kapacitete e veta. FSK ka përqafuar përfaqësimin gjinor dhe etnik, duke zbatuar standarde dhe duke inkorporuar qëndrimin e përmirësimit të vazhdueshëm. Ata kanë demonstruar profesionalizimin e tyre dhe përkushtimin e treguar nga dy ngjarje madhore vetëm në këtë muaj”, tha ai.
Ndryshe në konferencë “ FSK dhe partnerët”, e cila u organizua nga Ministria e Forcës së Sigurisë, pjesëmarrës ishin dhe një numër i madh i atasheve të vendeve mike, përfaqësuese të vendeve partnere, ekipet këshilluese dhe ndërlidhëse të NATO-s, përfaqësues të KFOR-it si dhe organizata joqeveritare./KP