Pas fshatrave Gjinovec dhe Val në Bulqizë, kësaj here është fshati Fushë-Thanë në njësinë administrative Komsi në Bashkinë e Matit që i rikthehet energjia pas 16 vitesh.
Në këtë fshat para vitit 1990 kanë qenë 25 familje.
Gjatë trazirave të vitit ’97, këtij fshati iu vodhën telat e transmetimit të energjisë elektrike, duke bërë që shumë banorë të largoheshin, e të tjerët që qëndruan mbetën në errësirë të plotë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka investuar për këtë fshat, duke shtruar 3.6 kilometra linjë të tensionit të mesëm dhe të ulët me një vlerë prej 8.5 milion lekë të rinj.
Një banor i këtij fshati pas rikthimit të energjisë elektrike, thotë se edhe ata që kanë ikur do të rikthehen, pasi mungesa e energjisë ka qenë arsyeja e vetme që banorët kanë braktisur fshatin.