Franca ka thënë sot se do të ofrojë dëshmi brenda pak ditësh se regjimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, e ka kryer sulmin kimik të 4 prillit në Siri, ku u vranë të paktën 90 persona.
Duke folur dje në mbrëmje në televizionin francez, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault, ka thënë: “Ne do të ofrojmë prova se regjimi i ka organizuar vërtet këto sulme me armë kimike,” transmeton Express.
Ai shtoi se nuk mund t’i ofrojë dëshmitë tani sepse analizat janë duke u kryer, por tha se dëshmia do të jetë gati brenda pak ditësh.
Assad i ka mohuar akuzat.
Në vitin 2013, Siria u pajtua që të hiqte dorë nga arsenali i armëve kimike./Express/