Franca është duke punuar që të gjejë një mënyrë për ta bërë prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare që të nisë një hetim për krime luftë, të cilat, sipas saj, janë kryer nga forcat siriane dhe ruse në lindje të Alepos.
Kështu ka thënë sot ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, transmeton Express.
Qëkur përpjekjet për arritjen e një armëpushimi dështuan në shtator, avionët luftarakë rusë dhe sirianë, kanë kryer ofensivën më të madhe në zonat që kontrollohen nga rebelët në Alepon e rrethuar, në një betejë që mund të bëhet pikë kthese në luftën civile pesë vjeçare.
“Këto bombardime, këtë e kam thënë në Moskë, janë krime lufte,“ ka thënë Ayrault.
“Kjo përfshinë të gjithë ata që janë bashkëfajtorë për atë që po ndodh në Alepo, përfshirë liderët rusë,” shtoi ai.
Ai ka thënë se Franca do ta kontaktojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të nisur një hetim.