Aktuale

Flet polici hero që shpëtoi vajzën 10-vjeçare në Prishtinë (Video)

Dje gjatë ditës, polici i trafikut Ferid Berisha i ka shpëtuar jetën një vajze 10 vjeçare në qendër të Prishtinës. Vajza ishte e rrezikuar të shtypet nga makina, kjo për shkak të pakujdesisë së prindërve të saj, mirëpo Berisha e largoi atë pak para se të ndodhte tragjedia e pritur.

Gazeta Express ka publikuar lajmin për heroizmin e Ferid Berishës, mirëpo tani ai një ditë pas aktit, tregon ngjarjen e cila e bëri hero i ditës. Ai gjithashtu mori komente shumë të mira nga përdoruesit e rrjeteve sociale për aktin e tij të guximshëm.

Ai për Kallxo.com ka rrëfyer se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, deri sa ai ishte duke rregulluar komunikacionin, më saktë te shkolla Faik Konica.

“Një veturë ndalet në shiritin ku edhe gjendet vendkalimi, nga aty doli një fëmijë. Fëmija duke kaluar në shiritin tjetër hasi një veturë me shpejtësi të madhe në drejtim të semaforëve. Nga aty e kam kapur fëmijën dhe kam arritur ta shpëtoj”, rrëfen Berisha

Për rastin e djeshëm, ai thotë se prindërit nuk dinë gjë për incidentin.

“Prindi i tij vetëm ka ndaluar fëmijën aty dhe ka ecur, ai nuk di asnjë gjë lidhur me këtë rast”, thotë polici.

Më tutje tregoi se si reaguan kalimtarët të cilën e panë këtë ngjarje.

“Disa i kam parë duke qajtë e disa duke duartrokitur, disa duke më falënderuar për shpëtimin e një jete”, tha ai.

Ai tregoi se rruga gjatë në këtë pjesë të kryeqyteti është e rrezikshme ndërsa apelon që prindërit të marrin masa më shumë lidhur me këtë rast.

Policia në raste të tilla, shpërblen zyrtarët policorë me mirënjohje dhe medalje në ngjarje solemne të policisë.

Dita e punës së tij sot ka nisur me një takim me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Shpend Maxhuni, nga i cili thotë se ka marrë falënderime për aktin e guximshëm.

Më pas, është nisur drejt Shkodrës, në detyrë për të ofruar siguri për ndeshjen që Kosova e zhvillon sonte kundër Kroacisë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Rusia 2016”.