Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shkarkuar Agim Sopin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm.
Sipas burimeve të Gazetës KNN, vendimin për shkarkimin e drejtorit Agim Sopit, KD i TKK e ka marrë në mbledhjen e mbajtur më 26 mars, me arsyetimin se drejtori i përgjithshëm i TKK ka bërë shkelje të vazhdueshme të detyrës së punës.
“Për këtë arsye, Këshilli drejtues i TKK-së (KD i TKK-së), i ka shqiptuar dy vërejtje të njëpasnjëshme, përkatësisht, më datën 6 shkurt 2018 dhe më datën 28 shkurt 2018”, thuhet në vendimin e siguruar nga Gazeta KNN për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, Agim Sopi.
“Përveç shkeljeve për të cilat drejtori ka marrë vërejtje, ai ka bërë edhe shkelje ligjore, edhe për faktin se nuk ka zbatuar projektet, në lidhje me realizimin e pesë premierave në Skenën e Madhe, ashtu si është paraparë me nenin 6 të Ligjit për Teatrot”, thuhet më tej në vendimin për shkarkimin e Sopit.
Në vendim poashtu thuhet se KD i TKK-së, e ka parë të pamundur bashkëpunimin me drejtorin e përgjithshëm, dhe pasi ka bërë përpjekje me të gjitha mundësitë ligjore dhe njerëzore, nuk ka parë mundësi dhe rrugë të tjera bashkëpunimi me drejtorin e përgjithshëm të TKK-së, z. Agim Sopi, pasi që ky i fundit ka shtjerrë të gjitha mundësitë e ofruara për Drejtorin, për bashkëpunim dhe punë në të mirë të institucionit.
I kontaktuar nga Gazeta KNN, drejtori tashmë i shkarkuar, Agim Sopi, vendimin për shkarkimin e tij e ka quajtuar diferencim me motive politike.
“Në vitet e nëntëdhjeta unë /në mesin e dhjetëra mijërave shqiptarëve/ jam diferencuar dhe shkarkuar nga Teatri i Kosovës me ndërsime të një pushteti totalitar dhe kriminal. Nuk kam mundur as ta ëndërroj se në shekullin e XXI, në nëntëmbëdhetëvjetorin e Kosovës së lirë, do të më ripërsëritet historia nga një pushtet tjetër totalitar, por i cili tashti flet shqip. Shkarkimet dhe diferencimet e asokohshme kanë qenë të kuptueshme, sepse pushtuesi ka synuar të shkatërrojë institucionet dhe identitetin kulturor të shqiptarëve, por tashti është e vështirë të kuptohet se si oligarkët politikë të sajuar prej barinjësh dhe mjelëseve të dalluara, të dehur nga zallahia e plaçkitjeve dhe shkatërrimeve të shtetit të vet, janë të gatshëm të vrasin edhe ëndrrën për ardhmërinë e fëmijëve tanë. Megjithatë, historia e civilizimit na mëson se kur pushtetet fillojnë të shkatërrojnë kulturën dhe të përndjekin artistët, të tillat përfundimish marrin udhën për plehun e historsë”, i tha Sopi Gazetës KNN.
Ai ka thënë se nuk ka bërë asnjë lloj shkeljeje, pasi që sipas tij, shkeljet janë bërë vet Këshilli Drejtues i cili është emëruar në mënyrë të paligjshme dhe është sajuar nga anonimus me back-grounde të dyshimta.
“Nëse ky Këshill i dyshimtë dhe jokompetent i konsideron shkelje paralajmërimet e mia se në TKK po instalohet censura duke përjashtuar me paramendim politik tekstin më të mirë nga repertori, si dhe reagimet e mia kundër veprimeve të tyre të paligjshme gjatë aprovimit të repertorit, atëherë po, unë pranoj se kam bërë shkelje. /Ligji nr. 04L – 106, Neni 15, Pika 1.3. për aprovimin e repertorit, thotë: repertorin e zgjeruar në përpjesëtim dy për një e paraqet për miratim para Këshillit drejtues të teatrit, duke krijuar hapësira për afirmimin e krijimtarisë kombëtare/ Pra, dy-për një dhe jo katër për dy siç ka votuar KD I TKK-së”, tregoi ai.
Sopi thotë se shkarkimi i tij ka ndodhur me ndërhyrje politike dhe se për këtë do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore.
“Shkarkimi im ka ndodhur me urdhëra dhe ndërsymje politike. Pra me logjikën e diferencimeve politike dhe s’ka asnjë argument ligjor. Unë do të ndjek procedurat ligjore të ankimimit. Do të ndjek të gjitha instancat e drejtësisë, deri në Strasbourg”, tha drejtori i shkarkuar i TKK-së, Agim Sopi. /Gazeta KNN