Partia Fjala ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën e saj për shkak të vendimit për uljen e bursës për studentët e shkëlqyer, ndërsa e ka quajtur të papranueshme vendimin për dyfishimin e pagës për kryeministrin e Kosovës.
Marigona Krasniqi, anëtare e kryesisë së partisë Fjala, tha se me uljen e bursës në radhë të parë po nënçmohen studentët, kur dihet se një rini e arsimuar është shpresë për një të ardhme më të ndritur.
“Zvogëlimi i bursës nga 900 euro në 600 dhe tash në 500 euro është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet studentëve, andaj ne kërkojmë që ky vendim të kthehet mbrapa dhe studentët të marrin bursën prej 900 eurove sa kishin në fillim”, tha ajo.
Krasniqi theksoi se bursa është meritë e studentëve dhe u takon atyre për përkushtimin dhe rezultatet e arritura në studime dhe si të tillë duhet ta gëzojnë. Ndërsa, zvogëlimi i bursës së studentëve në një anë dhe rritja e pagës së kryeministrit në anën tjetër, sipas saj, është e pa pranueshme dhe jo e drejtë.
“Paga e kryeministrit dhe e ministrave të Qeverisë së Kosovës është më e larta në rajon dhe më gjerë. Edhe paga e deputetëve është më e larta në rajon. Dhe kjo nuk i mjafton kësaj qeverie, ata marrin vendim për rritje pagash për kryeministrin dhe ministrat dhe këshilltarët politikë. Ndërsa papunësia në Kosovë është më e larta në rajon dhe Evropë. Rreth 40% e popullit të Kosovës jeton në varfëri”, tha Krasniqi./KP