Aktuale

Fjala konsideron nënçmim për studentët uljen e vlerës së bursës

Forumi rinor i Partisë Fjala ka kundërshtuar vendimin e Këshillit drejtues të UP-së për uljen e vlerës së bursës studentore nga 900 në 500 euro, duke thënë se një vendim i tillë është nënçmim për studentët.

Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Marigona Krasniqi, tha se si subjekt politik shprehin shqetësimin dhe indinjatën për vendimin që studentëve të dalluar t’iu zvogëlohet bursa.

“Ulja e bursës në radhë të parë është nënçmim për studentit, është destimulim për studentin, po ashtu është e dëmshme edhe për të ardhmen e vendit kur dihet se një rini e arsimuar është e ardhmja më e ndritur e një vendi. Bursa është meritë e studentëve për punën dhe kontributin e treguar gjatë studimeve dhe si të tillë ata duhet edhe ta marrin. Zvogëlimi i bursës së studentëve në një anë dhe rritja e pagës së kryeministrit në anën tjetër është plotësisht e pa pranueshme dhe jo e drejtë”, tha ajo.

Krasniqi tha se përderisa kryeministri Ramush Haradinaj ka pagën më të madhe në rajon dhe prapë merr vendim për të rritur pagën e tij, e sipas saj kjo është e papranueshme.

“Zvogëlimi i bursës nga 900 euro në 600 dhe tash në 500 euro është një padrejtësi e madhe që po ju bëhet studentëve, andaj ne kërkojmë që ky vendim të kthehet mbrapa dhe studentët të marrin bursën prej 900 eurove sa kishin në fillim. Ne si Fjala propozojmë që qeveria ta mbështesë arsimin në Kosovë dhe përmes Ministrisë së Arsimit duhet mbështetur Universiteti i Prishtinës. Qeveria në vend të buxhetit që po shpenzon për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, duhet të alokojë buxhetin në arsim”, ka thënë Krasniqi.

Vendimin e Këshillit drejtues të UP-së për uljen e vlerës së bursës studentore nga 900 në 500 euro e ka kundërshtuar edhe organizata studentore “Reforma” gjatë ditës së djeshme.

Ndërsa, ditë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte takuar disa studentë bursistë ku u kishte premtuar se nuk do të zvogëlohen bursat. E të njëjtin qëndrim e ka dhënë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi./kp/