Hollywoodi muajin e fundit është tronditur nga akuza të rënda për keqtrajtime seksuale nga ana e producentëve dhe regjisorëve.
Në valën e këtyre sulmeve ka folur edhe aktori 46-vjeçar Anthony Rapp, i cili tregon se çfarë i ka ndodhur kur ishte 14-vjeçar.
Ai ka akuzuar aktorin Kevin Spacey (58) për sulm seksual. Në atë kohë Kevin ishte 26-vjeçar. Ai e kishte ftuar Rapp në banesën e tij, ku e kishte kapur Rapp sikur dhëndri nusen dhe e kishte shtrirë në shtrat dhe ka qëndruar pranë tij.
Rapp thotë se në ato momente është ndjerë “i ngrirë”. Megjithatë, Kevin ishte tërhequr. Rapp ka shfrytëzuar rastin që të largohet nga banesa e tij dhe në dalje Kevin e kishte pyetur: “A je i sigurt se dëshiron të shkosh?”
Gjithçka, thotë Anthony, ka përfunduar mirë, por e pranon se kjo ngjarje e trishtueshme e ndjek edhe tridhjetë vjet më vonë dhe se ai nuk mund ta shikojë më në sy Kevin Spacey.
“Kam dashur të dal në publik dhe t’i tregoj se po më ndjek kjo ngjarje, por nuk kisha guxim”, tha ai.
Ndaj të gjitha këtyre, shumë shpejt ka reaguar aktori 58-vjeçar në profilin e tij në Facebook.
Ai tha se nuk i kujtohet mirë si ka ndodhur kjo ngjarje, pasi ajo ka ndodhur para 30 vjetësh.
“Me siguri ka qenë si pasojë e dehjes dhe më vjen keq për shkak të ndjenjës që ka tash e sa vjet. Ky rrëfim më ka shtyrë që të them diçka më shumë për gjëra tjera në jetën tim. Jam i vetëdijshëm se për mua ka rrëfime të ndryshme. Në jetën time kam pasur lidhje romantike edhe me femra, edhe me meshkuj, dhe tash kam zgjedhur që të vazhdoj jetën si homoseksual”, ka thënë ndër të tjera Kevin, transmeton KosovaPress.