Një pjesë e madhe laureatësh fitues të çmimit Nobel kanë kritikuar Aung San Suu Kyi, udhëheqësen e Mianmarit, për faktin se ushtria e vendit të saj i ka dhënë një goditje të përgjakshme popullatës pakicë të rohingyas duke paralajmëruar për një tragjedi “që përbën pastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit”.
Letra e hapur për këshillin e sigurimit të OKB-së është shkruar nga një grup prej 23 aktivistësh, duke përfshirë arqipeshkvi-n Desmond Tutu dhe aktiviten e njohur Malala Yousafzai.
Ata paralajmëruan se ofensiva ushtarake kishte vrarë qindra njerëz, përfshirë fëmijët, gra të përdhunuara, shtëpitë e djegura dhe shumë civilë të arrestuar në mënyrë arbitrare, shkruan “The Guardian”.
“Qasja nga organizatat e ndihmave humanitare është pothuajse tërësisht e pamundur, duke krijuar një krizë të tmerrshme humanitare në një zonë tashmë jashtëzakonisht të varfër”, thuhet në letrën, nënshkruesit e të cilave përfshijnë edhe aktivisten Yousafzai, fituesja më e re e çmimit Nobel për paqe.
“Disa ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për një gjeocid të mundshëm. Ka të gjitha shenjat dalluese të tragjedive të fundit që i ka përjetuar njerëzimi si ato të Ruandës, Darfurit, Bosnjës, Kosovës”, thuhet në letrën dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Nëse nuk veprojmë, njerëzit mund të vdesin nga uria nëse ata nuk vriten me plumba”.
Rohingya janë një pakicë prej rreth një milion njerëzish, të cilët, pavarësisht se jetojnë në këtë vend për një kohë të gjatë, ata trajtohen si emigrantë të paligjshëm dhe u është mohuar shtetësia.
Ata janë përndjekur prej vitesh nga qeveria dhe nga budistët nacionalistë.
Gjakderdhja e kohëve të fundit është më vdekjeprurëse, pasi qindra u vranë në përleshjet në vitin 2012 dhe më shumë se 100,000 u detyruan të futeshin në kampe të varfra.
Aung San Suu Kyi, e cila kaloi shumicën e dy dekadave të fundit nën arrest shtëpie dhe iu dha çmimi Nobel për Paqe në vitin 1991, fitoi zgjedhjet nëntorin e kaluar, duke i dhënë fund dekadave të sundimit të juntës ushtarake.
Laureatët e paqes të Nobelit të cilët nënshkruan letrën përfshijnë Jose Ramos-Horta, ish-presidentin e Timorit Lindor dhe aktivistin e opozitës jemenas, Tawakul Karman. U nënshkrua gjithashtu nga ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi dhe biznesmeni britanik Sir Richard Branson.
“Rreth 50,000 qytetarë të Myanmar u strehuan në Bangladesh që nga 9 tetori 2016”, tha ministria e jashtme e Bangladeshit në një deklaratë të enjten.