Filmi kosovaro-britanik “Home”, ka triumfuar si më i miri në kategorinë Filmi i Shkurtër Britanik, në Akademinë Britanike të Filmit dhe të Arteve Televizive (BAFTA).
Lajmin e ka bërë të ditur producenti kosovar Shpat Deda përmes Facebook-ut.
“Nuk kam fjalë! Ky çmim po vjen në shtëpi. Urime të gjithëve që kanë marrë pjesë në Kosovë dhe Britani të Madhe”, ka shkruar Deda.
Ky film i metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji të Daniel Mulloy është xhiruar në disa lokacione të Kosovës. Por, përveç Kosovës, filmi është xhiruar edhe në Shqipëri dhe në Angli.
Filmi për temë bosht ka një familje angleze që ka një përjetim më specifik përgjatë një udhëtimi. Në këtë film me rolet kryesore luajnë aktorë të famshëm si: Jack O’Connel dhe Holliday Graniger, si dhe aktorët shqiptarë: Zaki Ramadani, Andi Bajgora, Edison Dabiqaj, Adriana Matoshi, Armend Ismajli, Rifat Smani./KosovaPress/