Aktuale

Fillon takimi jo formal i kryeministrave në Durrës

Tanimë ka filluar sesioni i parë i takimit jo formal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Durrës.

Në këtë takim përveç nikoqirit Edi Rama, po marrin pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës Isa Mustafa, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ai i Malit të Zi Dushko Markoviq, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq, kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiq, si dhe komisioneri Johannes Hahn dhe Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Kurse, pas këtij sesioni kryeministrit Rama dhe komisionerit Hahn do të dalin me një dekltatë për media.

Në këtë takim do të diskutohet për tregtinë, shërbimet, investimet dhe ekonominë digjitale.

“Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes. Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë.