Ka filluar prezantimi i raportit për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Murat Meha, kryetar i Komisionit Qeveritar për Demarkacion ka thënë se komisioni shtetëror është bazuar në tri argumente.
“Komuna e Pejës ka sipërfaqe 603 km2 e pandryshuar që nga themelimi i saj deri tani. Komisioni gjatë punës së tij tre vjeçare ka zhvilluar aktivitetet konform Kushtetutës së Kosovës për shënimin e vijës kufitare. Në këtë drejtim komisioni ka realizuar takime dhe caktimin e parimeve të punës për shënimin e vijës kufitare, vizita në terren, takime me kryetarët e komunave dhe banorët e asaj ane. Vendimet janë marrë në përputhshmëri me dokumentacionin zyrtarë”, tha Meha.
Ai më tej tha se Komisioni për shënimin ka realizuar obligimet me përkushtim dhe transparencë.
“Komisioni ka hulumtuar dhe gjurmuar dokumentacion duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet shtetërore dhe ka bërë kërkesë ligjore që institucionet të ofrojnë dokumentacionin që disponojnë. Komisioni ka pasur takime te hapura me qytetarë përgjatë kufirit me historian dhe të tjerë. Ka pasur takime mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ishte obligim ligjor që kësaj ftese t’i përgjigjen të gjithë sepse është interes kombëtar. Janë mbajtur mbi 20 takime të drejtpërdrejta në terren me qytetarët e zonës dhe kryetarët e komunave. Me kryetarë të komunave është arritur pajtueshmëri e plotë”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Demarkacion, Murat Meha ka përmendur edhe sulmet, që thotë ai se janë kryer nga opozita, e që i kanë pamundësuar komisionit raportimin.
“Komisioni shtetëror ka vërtetuar se nuk ka krijuar hartë të re për zonat kufitare. Komisioni nuk ka ndryshuar vijen administrative të vitit 1988. Komisioni konstaton se shënimi i vijës kufitare nuk e favorizon as dëmton Kosovën për asnjë metër”, tha më tej Meha./KosovaPress/