Për të katërtën herë me radhë, Komuna e Strugës në mënyrë institucionale do t’i bojkotoj “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” që zyrtarisht fillojnë sot. Nga Komuna, për Alsat M deklaruan se shkaku kryesor edhe këtë herë është mospërdorimi dhe injorimi i gjuhës shqipe, edhe krahas faktit që gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni ndërsa Struga është qytet me popullatë shumicë shqiptare.
Edhe ftesa që është dërguar në adresë të kryetarit Zijadin Sela nga krerët e festivalit, është shkruar vetëm në gjuhën maqedonase. Autoritetet lokale apelojnë te poetët shqiptarë që edhe ata të bojkotojnë festivalin.
Në vend të eliminimit të barrierave gjuhësore siç qëndron në ftesën e hapjes, me këtë po vendosen mure të ndasisë ndëretnike, thotë Çoku. Drejtori i festivalit Mite Stevoski, shkurtë për Alsat M vendimin e komunës e vlerësoi si të motivuar politikisht.
“Gjuha shqipe këtë vit përfaqësohet përmes poetit nga Shqipëria, Arijan Leka. “Mbrëmjet strugane të poezisë” janë festival ndërkombëtar e jo festival lokal, që ndonjë gjuhë të përfaqësohet apo jo. Nuk bëhet fjalë për matje të këtillë të gjërave. Bëhet fjalë për manifestim kulturor që ka për qëllim festimin e të gjithë gjuhëve dhe poezive. Udhëheqja zyrtare e ngjarjeve të caktuara është e shkruar. Pa arsye dhe pa bazë politizohet se në çfarë gjuhe do të udhëhiqet festivali”, tha Mite Stevoski, Drejtor i “Mbrëmjeve strugane të poezisë”.
Poetët shqiptarë vlerësojnë se është e domosdoshme përfaqësimi më i madh i gjuhës shqipe në festivalin “Mbrëmjet strugane të poezisë”.
Festivali në të cilin këtë vit do të marrin pjesë 30 pjesëmarrës, financohet nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë. Sekretari shtetëror në këtë dikaster, Bexhehudin Shehapi për Alsat M tha se kanë arritur marrëveshje që festivali ta mbajë karakterin ndërkombëtarë dhe në skenë prezent të jetë vetëm gjuha angleze.