Aktuale

Fëmijët e të gjitha komuniteteve pushojnë në Mal të Zi, përkrahen nga Presidenca e Kosovës

Shoqata e Malazezëve të Kosovës “Llovqen” për të pestin vit radhazi po e realizon projektin për pushime për fëmijë nxënës të shkollave në Beçiqi të Malit të Zi.

Ajo që është veçanërisht e rëndësishme dhe që duhet theksuar është se për tre vjet më radhë ky projekt po realizohet si projekt shumetnik në të cilin marrin pjesë fëmijë nga pothuajse të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Kryetari i kësaj shoqate malazeze, Llazar Radulloviq, thotë se “Llovqen” ka për synim përçimin e bashkëjetesës shumetnike që është ngritur në një nivel të lartë në Mal të Zi në Kosovë, duke konsideruar se kjo është thelbësore për të ardhmen e një vendi siç është shteti i Kosovës.

“Për këtë projekt tonin ne kemi zgjedhur një popullsi të re të Kosovës, gjegësisht fëmijët e shkollave fillore. Këtë e bëjmë, sepse ne besojmë se ata nesër do të jenë e ardhmja e këtij vendi. E kemi ditur se kjo është një sfidë e vështirë dhe prandaj i kemi vëmë në veprim të gjitha kapacitetet tona për ta jetësuar këtë projekt dhe për t’i arritur rezultatet e dëshiruara dhe të mëdha”, thotë Radulloviq për KosovaPress.

Ai tregon se nga ky projekt kanë përfituar rreth 400 fëmijë dhe as edhe një incident i vetëm nuk ka ndodhur. Përkundrazi, thotë Radulloviq, janë krijuar miqësi të shumta të reja ndërmjet fëmijëve shqiptarë, malazezë, turq, serbë, boshnjakë, goranë, romë, dhe se këto miqësi vazhdojnë të kultivohen dhe të ruhen.

Tutje, Radulloviq thekson se shoqata e ka realizuar projektin për herë të parë më 2013 kur të gjitha fondet i ka siguruar Qeveria e Malit të Zi, e cila me vendosmëri ka vazhduar të qëndrojë prapa projektit gjatë gjithë këtyre viteve.

“Edhe sivjet donatorja më e madhe është Qeveria e Malit të Zi, por duhet theksuar patjetër se për vitin e dytë me radhë ky projekt po mbështetet financiarisht edhe nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili e njeh vlerën dhe rëndësinë e këtij projekti, gjë për të cilën ne jemi veçanërisht mirënjohës dhe krenarë. Është pikërisht presidenti Hashim Thaçi, ai i cili po kontribuon që një numër më i madh i fëmijëve të shkojnë në pushime verore në Beçiqi dhe ne jemi të sigurt se ai do të vazhdojë ta mbështesë këtë projekt edhe në vitet që vijnë, dhe ndoshta edhe vetë të marrë pjesë në projekt”, thotë Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës “Llovqen”, transmeton KosovaPress.

Kreu i “Llovqen”-it shton se në projekt kanë kontribuar edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prizrenit, nga e cila sivjet do të shkojnë 20 fëmijë nga komunitete të ndryshme, sepse, siç thotë ai, edhe vetë qyteti është shumetnik.

Përveç Prizrenit, këtë vit pjesë e projektit “Pushim për fëmijë të moshës shkollore Beçiqi 2017” do të jenë edhe fëmijët malazezë dhe boshnjakë nga komunat e Pejës dhe Istogut, 10 fëmijë nga komuniteti turk i Komunës së Prishtinës, 10 fëmijë shqiptarë nga Mitrovica, fëmijë të komuniteteve malazeze, serbe, gorane dhe rome nga komuna e Graçanicës dhe Anamoravës.

Si rrjedhojë, thotë Radulloviq, duke falënderuar Qeverisë së Malit të Zi, Presidentit të Republikës, Hashim Thaçit, MPMS-së dhe Komunës së Prizrenit, shoqata ka arritur të përfshijë në projekt një gamë të gjerë të komunave nga të cilët vijnë fëmijët të cilët do të jenë pjesë e këtij projekti.

Fëmijët do të vendosen në pushimoren e fëmijëve “Llovqen” në Beçiqi, e cila ndodhet 15-20 metra nga plazhi dhe deti. Këta fëmijë do të kenë të siguruar pjesën e tyre të plazhit, e cila është e shënuar dhe të cilën turistët nuk mund ta përdorin. Për çdo fëmijë do të ketë nga një edukator, i cili kujdeset për grupin e tij. Në plazh do të kenë edhe 3 shpëtimtarë të cilët do të jenë gjatë gjithë kohës pranë fëmijëve, pra janë siguruar të gjitha masat e sigurisë për fëmijët.

Radulloviq thotë se ajo që është veçanërisht e bukur është se çdo natë prej orës 21 deri në orën 23, në hapësirën përreth pushimores, afër plazhit, organizohen ndeje dhe lojëra ku, përveç fëmijëve tanë nga Kosova, marrin pjesë edhe fëmijë nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët garojnë në lojëra të ndryshme të cilat organizohen dhe garojnë për diplomë për vendet e para, të dyta dhe të treta. Çdo mbrëmje, juria zgjedh çiftin më të mirë vallëzues, missin dhe misterin e pushimores, vokalin më të mirë, modelin më të mirë të flokëve, karaoke, etj.

Ai thotë se është kënaqësi e posaçme të shohësh fëmijët tanë nga Kosova kur fitojnë ndonjërën nga diplomat në lojëra, se si të gjithë gëzohen dhe vrapojnë për ta përqafuar njëri-tjetrin, pa marrë parasysh komuniteteve të cilave u përkasin. Ata janë atje një ekip dhe e përfaqësojnë Kosovën.

Radulloviq shton se kur të shihni pamje të tilla e keni të qartë se sa i rëndësishme dhe i veçantë është në të vërtetë ky projekt për mbarë shoqërinë e Kosovës.

“Sinqerisht shpresoj se vitin e ardhshëm, përveç Qeverisë së Malit të Zi dhe Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, MPMS-së dhe Komunës së Prizrenit, do të kontribuojnë edhe ministri dhe komuna të tjera, të cilat me këtë rast ne i ftojmë që të na bashkohen në këtë projekt, i cili nuk ka alternativë. Për fat të keq, ky projekt kurrë nuk është mbështetur nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, e as nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit, edhe pse çdo ditë ia kemi dërguar kërkesat dhe projektin. Urojmë që kjo të korrigjohet vitin që vjen”, përfundon Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës “Llovqen”, Llazar Radulloviq. /KosovaPress/