Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ka lindur fëmija i parë në Vitin 2017 dhe ai është djalë, që peshon 3.65 kg. Nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë, raporton KosovaPress.
Dr. Hajrulla Latifti theksoi se sapo ka lindur pacientja e parë në Vitin 2017 dhe ishte shtatzënia e parë e Florjana Muhaxherit.
“Fëmija është i gjinisë mashkull, ka lindur normal dhe operacioni kaloi pa komplikime”, tha Latifti.
Ndërsa Curr Xhoci, drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), theksoi se fëmija i parë në këtë vit ka lindur përmes operacionit dhe gjendja e nënës edhe e bebes është shumë e mirë.
“Gjendja e nënës edhe e bebes është shumë e mirë. Bebi i parë është mashkull në maternitetin më të madh ndoshta edhe në Ballkan dhe regjion, urime për të gjithë shqiptarët”, tha ai.
Kurse Myrvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë njoftoi se në këtë klinikë në vitin 2016 kanë pasur 10 mijë e 40 lindje.
“Vitin 2016 e kemi përfunduar me 10 mijë e 40 lindje. Është hera e parë që dhjetë vjet që kemi ngrit të numrit të lindjeve, pasi për dhjetë vjet kemi pas një numër të zvogëluar të lindjeve”, tha ajo.
Ajo shtoi se Klinika që udhëheq është shpallur klinika më e mirë./KosovaPress/