Aktuale

Fatmirja me katër djemtë e saj kthehen vullnetarisht në Kosovë

Fatmire D. me katër djemtë e saj është kthyer të premten në Kosovë duke e braktisur vullnetarisht Gjermaninë.

Sipas avokatit të kësaj familjeje Dr. Bernd Söhnlein, Fatmirja me katër djemtë e saj nga 2 deri 9 vjeçarë, është transportuar të premten për në Aeroportin e Munihut, prej nga do të fluturonte për në Prishtinë, transmeton albinfo.ch.

Këtë e ka konfirmuar edhe policia gjermane.

Ndërsa nënkryetarja e autoritetit për të huaj Jutta Hofbeck ka thënë se në rast se nuk do të udhëtonte tash kështu, Fatmires dhe fëmijëve të saj do t`u ndalohej hyrja e sërishme në Gjermani si dhe do të detyrohej të paguante shpenzimet e udhëtimit.

 Me veprimin e saj të fundit familja siguron mundësinë që sërish të shkojë në Gjermani dhe eventualisht të qëndrojë atje, përcjell albinfo.ch.

Këtë mund ta bëjë duke pasur një bazë për qëndrim, i cili është, lidhja e marrëdhënies së punës ose e martesës.

Bashkëshorti i Fatmires ose babai i fëmijëve kishte vdekur para dy vitesh, pak para se familja të udhëtonte për në Gjermani. Kërkesa për azil e gruas me katër fëmijë nuk pati sukses ashtu si dhe as ankesa kundër dëbimit.

Po ashtu as komisioni për peticione i Parlamentit të Bavarisë si dhe komisioni për raste të rënda nuk kanë mundur të ndihmonin familjen, përkundër faktit se ajo është integruar shumë mirë në Neumarkt.