Një shqiptare 45-vjeçare humbi jetën mbrëmjen e së hënës pasi u shtyp nga një makinë teksa ishte duke ecur në trotuar. Ngjarja tragjike ndodhi në komunën Ponsacco në provincën e Pizës, ku shqiptarja jetonte prej disa vitesh me familjen e saj.
Mediat italiane shkruajnë se Diana Brahimi ishte me profesion estetiste, dhe mbrëmjen që i mori jetën, ishte duke u kthyer në këmbë nga puna
Nëna e tre fëmijëve u përplas në trotuar nga një makinë që drejtohej nga një 90-vjeçar italian.
Një përplasje fatale, pasi makina e zuri poshtë shqiptaren. Policia rrugore italiane ka përdorur një vinç e jastëk ajri për të ngritur në ajër makinën e 90-vjeçarit, e për të tërhequr trupin e pajetë të gruas shqiptare.
Sipas hetimeve të para të policisë italiane, drejtuesi italian i automjetit ka humbur kontrollin e makinës së tij.


