Pas lajmit për lirimin e nënkolonelit Nehat Thaqi nga paraburgimi në Serbi, familjarët e tij tashmë janë duke udhëtuar për në Beograd për ta sjellë policin në Kosovë.
Burime të Gazetës Express, kanë bërë të ditur se tashmë motra e Thaqit është duke shkuar për ta marrë vëllanë e liruar nga paraburgimi. Të njëjtit sot gjatë orëve të mbrëmjes pritet të mbërrijnë në Kosovë.
Ndërkohë, sot ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, e ka konfirmuar për Gazetën se Nehat Thaqi është liruar nga burgu.
“Sapo më është konfirmuar lajmi se nënkoloneli Nehat Thaqi është liruar nga paraburgimi në Serbi dhe shumë shpejt do t’i bashkohet familjes”, ka thënë Hoxhaj në një prononcim për Express.
Drejtori i Policisë për Mitrovicë, Nehat Thaqi, ishte arrestuar mëngjesin e 29 shtatorit, në kufirin e Merdarës. Dy ditë më vonë ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. E njëjta masë ndaj tij i ishte vazhduar të premten që lamë pas nga Gjykata Speciale në Beograd. /GazetaExpress/