Tre persona janë plagosur me armë zjarri sot rreth orës 04:00 të mëngjesit para një lokali në Gjilan.Dy nga të plagosurit janë vëllezër nga fshatit Livoç i Epërm.
KALLXO.com ka provuar të flasë me dy të plagosurit, por kjo nuk ishte e mundur për shkak të mbikëqyrjes nga Policia para dhomës së Spitalit Rajonal në Gjilan.
Por, vëllai i tyre Hysen Lakna tregoi për KALLXO.com për plagosjen e vëllezërve të tij.“Sot para mëngjesit rreth orës 04:00, më ka njoftu edhe më ka thënë që jam i plagosur.
Edhe vëllai i tretë edhe i vogli. Kur kam ardhë në emergjencë kam tentu me hi për me i pa, por policia më ka larguar me dhunë, më ka qit te dera”, thotë Lakna.Tutje, Hysen Lakna tha se shoku i pronarit të lokalit, i cili dyshohet se ka plagosur vëllezërit e tij, para tri vitesh ka rrahur vëllain e tij, por nuk e di arsyen e rrahjes.“Arsyet nuk i di unë, të panjohura, e ka rreh, edhe Gjykata e Gjilanit e ka dënu me kusht për gjashtë muaj.
Vëllai ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, por e ka kthy në rigjykim. Gjykata në Gjilan a është tu e mshefë rastin, nuk e ka thirr hiç vëllain”, tha Lakna.Ndërsa Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjilanit Ismet Hashani i tha KALLXO.com se tre personat e plagosur janë jashtë rrezikut për jetë.Ai tha se Policia është në kërkim të të dyshuarit kryesor, ndërsa dy të plagosurve prokurori i shtetit u ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.
“Policia e Kosovës është në kërkim të personit të dyshuar kryesor, gjersa gjatë hetimeve në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe njësitet relevante nga hetimet rajonale dhe kanë konstatuar se dy nga personat e lënduar janë të dyshimtë, të cilëve prokurori i shtetit u ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë, dhe ata edhe pse janë në spitalin rajonal janë në përkujdesje të policisë për 48 orë” tha Hashani.Hashani tha se edhe njëri nga punëtorët e lokalit është lënduar aksidentalisht, dhe pasi që është i involvuar në rast është ndaluar nga prokurori i shtetit për 48 orë.“Personi që ka gjujtë me armë zjarri besohet të jetë pronari i lokalit. Ai është i njohur për Policinë dhe Policia e Kosovës është në kërkim të tij”, tha Hashani.