Edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë mbi një mijë e 600 persona rezultojnë të zhdukur.
Në këtë numër është edhe babai i Ismet Zasellës nga Mitrovica, e i cili të vetmen dëshirë ka që të ketë një varr për babain e tij.
Vehbi Zasella, babai i Ismet Zasellës ishte zhdukur me 31 mars të vitit 1999 e për të cilin familja nuk ka marrë ndonjë lajm tash e 18 vjet.
Ismeti thotë të jetë i zhgënjyer me atë që shteti dhe institucionet e Kosovës kanë bërë deri më tani për zbardhjen e fatit të babait të tij. Për më tepër ai thotë të ketë informacione se trupi i tij gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës.
“E kam të zhdukur babën, qe 18 vjet dhe deri sot hale kurrgjë nuk di për të. Jemi munduar me pas shumë qasje në atë pjesë të veriut, por nuk kemi të drejtë me shkua atje dhe EULEX-i e ka për detyrë. E kemi shoqata e Mitrovicës, i kemi skicat që kur i kanë vra i kanë gjetur në pjesën e veriut te varret e myslimaneve qysh tregojnë këta sipas skicave që kanë marrë të dhëna aty janë diku, por EULEX-i thotë nuk kemi siguri”, tha Zasella.
Ai bën apel që sa më shpejt të bëhen gërmime në atë pjesë, pasi që ka informacione se aty gjendet trupi i babait të tij.
“I kënaqur aspak, këta shkojnë lypin në Serbi atje a qe ku i kanë në Kosovë. Kisha bërë apel edhe qeverisë edhe të gjitha instancat me bë diçka sa më shpejt për atë pjesë atje se ka edhe të tjerë që janë pasi që i kanë ekzekutua. Sipas skicës gjendet me emër e me mbiemër është vendi në veri që gjendet”, theksoi ai.
I pakënaqur me punën e bërë deri më tani lidhur me hulumtimin e personave të zhdukur është edhe Koordinatori për krime të luftës dhe për persona të zhdukur në nivel të Kosovës, Ahmet Grajqevci, i cili për KosovaPress ka thënë se ka pasur mundësi të bëhet më shumë.
“Me hulumtimin e procesit për hulumtimin e personave të zhdukur nuk jemi të kënaqur, sepse kemi mundur të arrijmë që deri më tani ti gjejmë edhe ata, shumë një numër i vogël ka mundur me mbetur i pa identifikuar ose i pa gjetur. Mendoj se në këtë proces gjitha qeveritë me radhë kanë qenë neglizhent rreth procesit të personave të zhdukur, përgjithësi edhe të krimeve të luftës. Unë mendoj se shteti duhet të angazhohet me drejtësinë, mjekësinë ligjore, hulumtimin, organizatat joqeveritare që këtë proces ta përfundojmë një herë e përgjithmonë”, tha ai.
Grajçevci dha kritika pati edhe për misionin e UNMIK-ut, pasi sipas tij ky mision jo që ka ndihmuar, por ka humbur shumë dokumentacion rreth procesit të hulumtimit të personave të pagjetur.
“UNMIK-u fill pas luftës jo që ka ndihmuar rreth këtij procesi, por ka humbur shumë dokumentacion rreth këtij procesi, ka humbur shumë të dhëna që ne i kemi dorëzuar në selinë e UNMIK-ut. Qoftë deklarata për krime lufte, qoftë edhe deklarata për personat e zhdukur dhe vendngjarjen ku mund të ndodhen trupat e personave në Serbi, sepse sikur të kishte punuar në atë kohë UNMIK-u në mënyrë perfide atëherë besoj se çështja e personave të zhdukur kish ardhur gati te përfundimi”, theksoi ai.
Ndërsa, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, tha se si Komision, punën e tyre e mbështesin në zbatim të ligjit për persona të zhdukur, ku sipas tij ky komision udhëheq, mbikëqyrë dhe koordinon të gjitha aktivitetet me partnerët vendor dhe ndërkombëtar.
Sipas tij, problem dhe vonesë në identifikim dhe gjetjen e të pagjeturve paraqet edhe arsyeja se i gjithë procesi në kuptimin profesional nuk është në duart e vendorëve.
“Normalisht ka pengesa, për arsye se ende procesi i tërë në kuptimin profesional nuk ka kaluar në duart e vendorëve, në veçanti në mjekësinë ligjore ende EULEX-i, gjegjësisht ekspertët e EULEX-it e mbajnë këtë proces. Prandaj, kërkojmë që ky transferim të bëhet sa më shpejt në mënyrë që të përshpejtohet puna në vlerësimin e atyre lokacioneve të cilat mund të jenë të dyshuara”, tha ai.
Ndryshe 30 gushti njihet si Dita Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur./kp