Aktuale

Familja e Almirit pret fillim sa më të shpejtë të gjykimit

Ende nuk dihet se kur do të fillojë gjykimi për rastin e vogëlushit katër vjeçar Almir Aliu, i cili vdiq më 2 korrik, pasi që një javë më parë bashkë me prindërit qëllimisht u godit me makinë nga personi Boban Iliq. Familjarët presin që sa më shpejt të nisë procesi gjyqësor dhe paralajmërojnë se javën e ardhshme do të angazhojnë edhe avokatin.

Babai i Almirit, Sedati, edhe një herë ka kërkuar drejtësi për rastin.

“Procesi gjyqësor ende nuk ka filluar, jemi në konsultime me disa avokatë, presim javën e ardhshme ta zgjedhim avokatin dhe sa më shpejt të fillojë procesi gjyqësor. Besojmë në organet e drejtësisë dhe presim që e drejta të dalë në shesh dhe organet e drejtësisë ta dënojnë kriminelin me dënimin e merituar”, tha Sedat Aliu babai i të ndjerit Almir Aliu.

Alsat M mëson se prokuroria me gjasë ka ngritur 4 padi penale për dhunë, për personat e përfshirë në rrahjen e kobshme që ndodhi në afërsi të Shtëpisë së shëndetit në Kumanovë, ku u shtypën me makinë tre anëtarët e familjes Aliu. Për këtë arsye siç merret vesh padi për dhunë janë ngritur për Bobanin dhe vëllain e tij Bojanin, të cilit i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak , si dhe për dy familjarë nga familja Aliu. Ndërkaq për Bobanin, pas vdekjes së Almirit do të ketë padi edhe për vrasje me paramendim.