Prindërit e Astrit Deharit, Avni dhe Xhemile Dehari, kanë njoftuar se është përzgjedhur ekipi i ekspertëve nga Zvicra për të hetuar rastin e vdekjes së djalit të tyre. Nëna e Astriti edhe një herë tha se djali i tyre është vrarë.
Babai i Astritit, Avni Dehari në një konferecë për media, deklaroi se ekspertët e përzgjedhur janë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze, Romandi (CURML).
Sipas Deharit, janë përcaktuar ekspertët ndërkombëtarë nga Zvicra, pasi që ata nuk janë pajtuar konkludimet dhe deklaratat kontradiktore për vdekjen e Astritit.
“Ne nuk jemi pajtuar me konkludimet që kanë nxjerr zyrtarët dhe kemi angazhuar ekspertët e pavarur. Pastaj, meqë Kuvendi morri një vendim në dhjetor që familjes i lejohet të bëj hetime të pavarura për shkak të deklarimeve shumë kontradiktore që dolën në atë kohë dhe për shkak të reagimeve tona, ne jemi angazhuar që të sjellim ekspert dhe hetues të pavarur ndërkombëtarë. Kemi kontaktuar me zyrtarë të qendrave universitare të mjekësisë ligjore në Bern, Cyrih në Gjenevë dhe në fund jemi përcaktuar që t’i angazhojmë ekspertët dhe hetuesit ndërkombëtarë të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në pjesën franceze në Zvicër. Unë kam qenë personalisht dhe kam kontaktuar me zyrtarët e kësaj qendre”, deklaroi Dehari.
Kurse, nëna e Astritit, Xhemile Dehari tha se do e pranojnë juridikisht çdo vendim që del nga kjo ekspertizë, por jo edhe shpirtërisht, pasi që, zyrtarët të cilët kanë dhënë deklarata kontradiktore për vdekjen e Astritit janë shpërblyer me poste edhe më të mira.
“A është vdekje e Astritit, a është vrasje apo vetëvrasje, e dinë ata që i kanë bo. Me pas në shpi Astritin, ju kishe tregu saktë se si ka vdekur Astriti, por ata që e kanë bërë le të tregojnë…Ne si prind kërkojmë hetim të pavarur jo për ndonjë arsye tjetër, aty kemi pasur shokë tonë, por na i kanë vra djem. Arsyeja e parë është që për Arbnorin nuk na kanë dhënë kurrfarë sqarimi. Tre vjet i bëri Arbnori, ende nuk e dimë si ka vdekur ai , po thonë se ka vdekur Astriti në burg, unë them se e kanë mbytur Astritin në burg, këtë nuk mund të ma hek as zvicerani se e kanë vrarë Astritin në burg. Mirëpo, këtë hetim që do të bëjnë sigurisht që do e pranojmë vendimin e tyre”, deklaroi Dehari.
Ajo tha se ende raport zyrtarë për vrasjen e Astritit nuk kanë marrë.
Në anën tjetër, Avokati i Familjes Dehari, Tomë Gashi deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e obliguar t’i kompensoj të gjitha shpenzimet e institutit të përzgjedhur, pasi që kjo bazohet në vendimin që Qeveria e ka marrë më parë për këtë rast.
“Ata do t’i kontaktojnë edhe organet zyrtare të Republikës së Kosovës dhe tani është çështje e Qeverisë, e Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë që t’i përmbahen zotimeve të tyre dhe premtimeve të tyre, se në momentin që familja Dehari të përzgjedh ndonjë institut për hetime të pavarura. Ata do t’i kryejnë të gjitha pagesat lidhur me punën e tyre dhe do t’i kryejnë të gjitha procedurat ligjore të nevojshme që këto hetime dhe ekspertiza të jenë në kuadër të ligjit për bashkëpunim ndërkombëtarë”, deklaroi Gashi.
Gashi paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të bëj kërkesën zyrtare tek organet kompetente të Republikës së Kosovës, për angazhim të menjëhershëm të ekspertëve.
Ndryshe, ekipi i institutit të përzgjedhur nga familja Dehari, udhëhiqet nga dy ekspertë eminentë dhe kolegë të fushave përkatëse. Ekspertët janë me përvojë dhe renome ndërkombëtare të dëshmuara në raste të ngjashme.
Astrit Dehari pati vdekur më 05.11.2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren./KP