Aktuale

Fajon: Për liberalizim të vizave duhet të bëhet demarkacioni

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, takoi sot eurodeputeten, njëherësh raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.

Në fillim të takimit, kryetarja e Komisionit Njomza Emini, e falënderoi eurodeputeten Fajon, për vizitën, dhe më pas, e njoftoi atë për angazhimet  e komisionit, e që kanë të bëjnë   me  integrimet evropiane.

Emini në vijim tha se angazhimi për liberalizimin e vizave për qytetarët është një ndër çështjet më të rëndësishme, dhe lidhur me këtë ajo kërkoi përkrahjen e  raportueses për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Fajon.

Lidhur me këtë, eurodeputetja Fajon, ritheksoi se, për liberalizimin e vizave, Kuvendi duhet të ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ajo bëri thirrje që procesi i demarkimit të  kufirit të përfundojë, sepse, sipas saj ky është kusht i patejkalueshëm për BE-në.

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, iu premtoi anëtarëve të komisionit se shqetësimet dhe rekomandimet e shfaqura gjatë takimit, do tua bëjë të ditura bashkëpunëtorëve të saj.