Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina”, ka njoftuar se punimet e ndërtimit të fabrikës së përpunimit të ujit në “Shkabaj” janë duke shkuar drejt finalizimit dhe do të përfundojë në fund të muajit dhjetor, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, komisionimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim, mbetet si një dy përqindësh i punëve totale, për pjesën e parë të vitit 2017.
Sipas KRU “Prishtina”, faza e tretë e investimeve përfshinë investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj në vlerë prej 35 milionë euro.
“Ky projekt do i rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë 700 l/s me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 l/s të tjera. Financues të projektit janë: Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, Komisioni Evropian me 5 milionë euro, Qeveria e Republikës së Kosovës me 5 milionë euro dhe 20 milionë KRU”Prishtina” i ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Republikës së Kosovës. Projekti përmban këto komponente: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. Punimet në këtë fabrikë janë duke u zhvilluar me një dinamikë të madhe. Projekti ”Shkabaj” është një nga investimet më të mëdha në furnizimin me ujë të pijshëm që nga themelimi i KUR”Prishtina”sh.a., dhe se është një projek t vendimtar jo vetëm për kryeqytetin por për gjithë vendin. Me realizimin e këtij investimi, që është planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit 2016, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin, Podujevën dhe komunat tjera nën menaxhimin e KUR”Prishtina”, do të ketë përmirësime të dukshme në largimin e ujërave të zeza dhe do të investohet në mbrojtjen efektive të burimeve nga ndotjet”, thuhet në komunikatë.
KRU ”Prishtina” ka apeluar te të gjithë konsumatorët në gjithsej tetë komunat t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbime të ujësjellësit e kanalizimit, të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike u bëjmë thirrje që të respektojnë në përpikmëri kontratat për riprogramim borxhi, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar me pajtim të të dyja palëve, në të kundërtën u rikthehet borxhi i falur sipas Ligjit për Faljen e Borxheve Publike. /KosovaPress/