Aktuale

Evropianët japin miliona për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në kryeqytet

Komuna e Prishtinës sot ka marrë plot 37 milionë euro për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në kryeqytet.

Janë katër vende që kanë mbledhur këto para dhe ia kanë dhuruar komunës për t’ia mundësuar ngrohjen banorëve të Prishtinës.

Kështu Bashkimi Evropian i ka dhënë 14 milionë euro, Gjermania 10 milionë, Suedia 1.8 milionë, Luksmenburgu 1.5 milionë dhe Qeveria e Kosovës me Komunën bashkë 5 milionë.

“Masterplani është hartuar bashkërisht nga Termokosi dhe Komuna e Prishtinës, ndërkaq është financuar nga qeveria gjermane përmes KfW-së. Një ekip ekspertësh të iC Consulenten nga Austria ka përkrahur Termokosin dhe Komunën e Prishtinës në këtë projekt. Sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë është ndërtuar në vitin 1970 dhe fillimisht ka ofruar ngrohje me mazut”.

Termokosi ka ofruar ngrohje bazuar në sistemin e kogjenerimit për më se 63.000 konsumatorë për tri sezone deri tani. Ndikimi në kushtet jetësore dhe mjedis është i paprecedentë: Ngrohje 24/7 për gjithë sezonin e ngrohjes, gjenerim mbi 660 GWh për tri vite, ulje të emetimeve me CO2 prej mbi 90.000 tonë në vit, ngritje të faturimit dhe inkasimit, reduktim të humbjeve të ngrohjes e ujit dhe më shumë. Kapaciteti aktual i sistemit të kogjenerimit është 140 MW, kapacitet ky që mund të nxirret nga vetëm një ose dy turbina të TC Kosova B.

Gjatë sezonit së fundit të ngrohjes, ngarkesa maksimale nuk ka kaluar 85 MW. Kjo ilustron më së miri mundësinë për të ngritur edhe më shumë ndikimin e projektit përmes zgjerimit të rrjetit. Kështu shumëfishohet shfrytëzimi i investimeve të realizuara në koogjenerim dhe arrihen vlera më të favorshme kosto-fitim. Duke marrë parasysh potencialin e lartë për modernizim dhe zgjerim të mëtutjeshëm, ishte e domosdoshme të krijohej perspektivë afatgjatë për investimeve, qofshin ato vendore apo të huaja si dhe të sigurohet efiqiencë e kostos, transparencë si dhe qëndrueshmëri teknike e financiare.

Masterplani përbën një databazë me pako investimesh prioritare dhe duhet të shërbejë si baza e vetme për investime në sistemin e ngrohjes në Prishtinë. Objektivi kryesor i Masterplanit është reduktimi i emetimeve të CO2 dhe zvogëlimi i ndotjes së ajrit në Prishtinë. Së fundi Qeveria gjermane ka zotuar një grant prej 10 milionë eurosh për investime në rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, investime këto që do të realizohen bazuar në rekomandimet e Masterplanit. Për më tepër, edhe Qeveria e Luksemburgut do t’i bashkëngjitet këtij projekti me një grant prej 2,5 milion euro. Duke përfshirë këtu edhe kontributin që pritet nga Komuna e Prishtinës, pjesa dërmuese e investimeve të Masterplanit do të mbulohet nga ky projekt.