Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij për gjoja largim në masë të punonjësve serbë nga stafi i tij.
“Misioni mohon të gjitha pretendimet lidhur me diskriminimin direkt ose indirekt”, ka thënë Dragana Nikoliq-Solomon, shefe e Zyrës për Informimin Publik në EULEX.
“Në qershor të vitit 2016, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar mandatin e ri të EULEX-it për zbatimin e Planit Operativ të ri në përputhje me objektivat e reja të Misionit. Ky plan përfshin reduktimin e rreth 350 pjesëtarëve ndërkombëtarë dhe 450 pjesëtarëve vendorë të personelit, duke reflektuar një mision më të vogël në numër dhe më të fokusuar, i cili do t’u ofrojë aktivitetet e veta të MMK instistucioneve të sundimit të ligjit të Kosovës në nivelin strategjik, si dhe mbështetjen e vazhdueshme në sistemin e drejtësisë civile dhe asaj kushtetuese, dhe në gjykimin e rasteve penale të zgjidhura”, ka thënë Nikoliq-Solomon për Tribuna Channel.
“Misioni është duke kaluar nëpër një proces të reduktimit të personelit, i cili bazohet në parime të qarta, objektive dhe të drejta, pavarësisht nga përkatësia etnike”, ka theksuar Nikoliq-Solomon.