Shefi i diplomacisë sllovene, Karl Erjavec, dërgoi letër deri te Komisioni Evropian në të cilën thekson se Kroacia nuk meriton të hyjë në Zonën e Shengenit, sepse cenimi i kufirit në Gjirin e Piranit nga ana e anijeve të saj policore dhe të peshkimit e shkel rendin juridik të Bashkimit Evropian dhe tërësinë territoriale të Shengenit, kumtoi televizioni nacional kroat HRT.
“Shteti i cili atë e bën me qëllim dhe nuk e respekton të drejtën ndërkombëtare, nuk i përmbush kushtet të bëhet pjesë e Shengenit”, nënvizoi ministri slloven në letër.
Ai, gjithashtu,, shton se kryeministri slloven Miro Cerar është i njoftuar me përmbajtjen e letrës dhe konsideron se Kroacia është e obliguar ta respektojë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit për kufirin në Gjirin e Piranit.
Gjykata e Arbitrazhit në Hagë muajin e kaluar e zgjodhi kontestin shumëvjeçar mes Sllovenisë dhe Kroacisë për Gjirin e Piranit, duke konfirmuar se një pjesë më e madhe e gjirit i takon Sllovenisë, që me akt special fitoi korridor përmes ujërave territoriale kroate drejt ujërave ndërkombëtar.
Kroacia dhe Sllovenia për kufirin detar në Gjirin e Piranit kanë mosmarrëveshje që nga viti 1991. Të dy shtetet në vitin 2009 u dakorduan për në arbitrazh, por Kroacia hoqi dorë nga ajo në vitin 2015, pasi ishte zbuluar se përfaqësuesit slloven kanë lobuar para gjykatësve të marrin vendim në dobi të tyre.