Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i ka përsëritur kritikat e tij ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron, disa ditë pasi Franca e mbajti një ceremoni kombëtare për përkujtimin e masakrimit të armenëve në periudhën e Luftës së Parë Botërore.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vendosi në muajin shkurt që ta shënojë zyrtarisht përvjetorin e këtyre vrasjeve masive dhe më 24 prill vend ii tij e organizoi ditën kombëtare të përkujtimit të gjenocidit ndaj armenëve.
Erdogani i ka kritikuar këto veprime të homologut francez në të kaluarën, duke thënë se Macroni duhet t’i hetojë krimet e pretenduara të trupave franceze në Afrikë dhe në vende tjera.
Presidenti turk e kritikoi përsëri Macronin të shtunën, duke thënë se ai po e ledhaton popullsinë e Armenisë. “Dhënia e një mesazhi për 700 mijë armenë që jetojnë në Francë nuk do të të shpëtojë, zotëri Macron”, tha Erdogani në një tubim të partisë së tij.
Mbi tridhjetë shtete dhe një numër i konsiderueshëm i historianëve kanë vlerësuar se vrasjet që nisën në vitin 1915 paraqesin gjenocid. Besohet se në këtë periudhë u vranë 1.5 milionë armenë.
Sidoqoftë, autoritetet turke vazhdimisht e kanë kundërshtuar termin gjenocid, duke thënë se këto vdekje kanë ndodhur në të dyja anët dhe kanë qenë rezultat i kaosit të luftës, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.