Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan sonte në mitingun në Stamboll ka krahasuar dështimin e puçit ushtarak të vitit të kaluar me luftën turke për pavarësi para rreth njëqind vjetësh.
Gjatë një fjalimi para dhjetëra-mijëra njerëzve në urën simbolike të Stambollit, Erdogan e ka quajtur “tradhtar” tentimin për largimin e tij nga pushteti, por tha se qytetarët, me ftesën e tij për të bërë rezistencë, “shpëtuan të ardhmen e Turqisë”.
Erdogan tha se tentimi për grusht-shtet “nuk ishte i pari dhe nuk do të jetë i fundit” dhe paralajmëroi se grupet terroriste do të punojnë për minimin e vendit të tij.
“Për këtë arsye së pari atyre do t’ua heqim kokat!”, ka thënë ai.
Shefi i shtetit turk tha se do të miratojë ligjin për vendosjen e serishme të dënimit me vdekje, nëse ai do të propozohet nga ana e Parlamentit të Turqisë.
I rrethuar nga fëmijët me flamuj turq dhe të afërm të të vrarëve, presidenti turk para fjalimit iu bashkëngjit kolonës masovike të njerëzve në Stamboll, ku vitin e kaluar u mposht tentimi për puç shtetëror.
Erdogan dhe bashkëshortja e tij zbuluan përmendoren për 250 të vrarët gjatë ngjarjeve të korrikut të vitit të kaluar.
Dhjetëra-mijëra njerëz erdhën deri tek “Ura e dëshmorëve 15 korrik”, ku qytetarët, me ftesë të Erdoganit, dolën t’i kundërvihen grusht-shtetit dhe u përleshën me ushtarët e rebeluar turq.
Ura, e cila deri atëherë quhej e Bosforit, ishte mbyllur në natën e 15 korrikut 2016 me tri tanke me 136 ushtarë, kur edhe nisi përpjekja për rrëzimin e Erdoganit nga pushteti.